E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Afera për ndërtim pallatesh te fusha Ali Demi”

 

Zirina Llambro

Dyshime të forta për grupe interesi, që të lidhura me Bashkinë e Tiranës, duan ta përdorin për të përfituar pronën e tyre. E nëse përkthehet në shifra, bëhet fjalë për disa milionë euro. Për nga mënyra sesi u është marrë toka dhe janë trajtuar, pronarët e fushës sportive "Ali Demi" nuk ngurojnë të ngrenë edhe këtë hipotezë. "Duke u nisur nga fjalët e Kryebashkiakut Edi Rama, i cili na ka thënë se pronën s'na e ka marrë njeri por thjesht i rritet vlera, ne dyshojmë se ajo do të përdoret pas disa kohësh për të ndërtuar ndonjë kompleks pallatesh", shprehet Bashkim Toska, njëri prej përfaqësuesve të pronarëve. Sipas tij, që kjo gjë të ketë gjasa të ndodhë, shanset janë të shumta. "Është shumë e lehtë të gjehet një zgjidhje me grupe ndërtuesish, që mund të bashkëpunojnë me bashkinë në këtë drejtim. Për aq kohë sa ajo me lulishten që po ndërton e kthen automatikisht në vepër publike tokën, e zgjidh këtë punë brenda për brenda. Ne nuk e kemi pse të mos mendojmë se në një të ardhme merr vendim për ta prishur  lulishten aktuale dhe privatët të bëjnë pallate që të kenë një tjetër lulishte çlodhëse brenda. Kur na e vodhi ne që kemi të gjithë dokumentet, qytetarët i vjedh e i vjedh", sqaron përfaqësuesi tjetër i pronarëve, Hasan Mema. Ai shton se strukturat e tjera të shtetit duhet të reagojnë pas këtij denoncimi e të marrin masa që kjo gjë të mos ndodhë. "Me këtë akt bashkia vërteton që ka mendësi komuniste. Por jo vetëm ajo, edhe hallkat e tjera të shtetit që po lejojnë të ndodhë kjo gjë. Nuk mund të përjashtosh pronarët e ligjshëm, sikur jemi në kooperativë", shprehet Mema.
Vjedhja e pronës
Dje gazeta publikoi fakte dhe dokumente origjinale që dëshmojnë se pronare e ligjshme e fushës "Ali Demi" nuk është Bashkia e Tiranës. Qytetarët që i vunë në dispozicion këto shkresa denoncojnë këtë institucion se në mënyrë të padrejtë ua ka vjedhur pronën, kundër çdo ligji të shtetit dhe po e kthen në lulishte. Janë rreth 9470 m2 tokë, që dikur kanë qenë pjesë e fushës sportive në këtë zonë. Që prej tre muajsh fadromat po punojnë për të përfunduar punën e nisur. Pronarët janë përpjekur të mos lejojnë nisjen e ndërtimit të lulishtes, por janë përzënë me dhunë nga Polica Bashkiake. "Vetëm një javë pasi Bashkia e Tiranës ka humbur edhe në Gjykatën e Lartë, pas dy gjyqeve të tjera të njëpasnjëshme që ne kemi dalë fitues, ka çuar në KRRT projektvendimin për të ndërtuar një lulishte te fusha", sqarojnë pronarët. Ata disponojnë edhe certifikatat e pronësisë të lëshuara si për ironi nga hipoteka vetëm 8 ditë përpara se bashkia të niste punimet për ndërtimin e lulishtes.

Tre gjyqet e fituara, kundër bashkisë edhe Gjykata e Lartë

Padinë në Gjykatën e Shkallës së Parë, pronarët e fushës sportive tek "Ali Demi" e ngritën ndaj Këshillit të Ministrave dhe person të tretë Bashkinë e Tiranës. Objekt i padisë ishte "Anulimi pjesërisht i VKM "Për miratimin e listës së inventarit dhe transferimin e pronave të klubit të futbollit "Tirana" në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë në datë 13.2.2007 ishte në favor të pronarëve të tokës. Ndër faktet e tjera brenda këtij vendimi citohet: "Pala paditëse ka vërtetuar tërësisht se është pronare e ligjshme e një sipërfaqeje toke prej 16.457 m2, të ndodhur në fushën "Ali Demi" Tiranë. Pra Këshilli i Ministrave ka marrë në disponim këtë sipërfaqe toke, në mënyrë të padrejtë, duke ja transferuar Bashkisë së Tiranës", thuhet në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Për rrjedhojë, ajo arrin në përfundim për anulimin e pjesshëm të vendimit të Këshillit të Ministrave. Bashkia e Tiranës nuk e ka pranuar vendimin, e për rrjedhojë çështja është dërguar në Gjykatën e Apelit. Por pas marrjes në shqyrtim të çështjes, Gjykata e Apelit rrëzon këtë ankimim. Sipas saj, çmohet se pretendimet e ngritura në ankimimin e ushtruar nga ana e Bashkisë së Tiranës, si në ankimim edhe gjatë shqyrtimit në apel, nuk janë të tilla që të motivojnë apo përligjin cenimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë. Edhe pas dy gjyqeve të humbura, Bashkia e Tiranës nuk është ndalur. Ajo ka bërë ankimim në Gjykatën e Lartë, e cila ka vënë veton. Përsëri në favor të pronarëve të tokës. "Kolegji i Gjykatës së Lartë, pasi dëgjoi relatimin përkatës e si analizoi çështjen në tërësi vëren: "Kërkesa e paraqitur nga pala e paditur, Bashkia Tiranë, për pezullimin e ekzekutimit të vendimit nr.883 të Këshillit të Ministrave datë 13.2.2007 të Gjykatës së rrethit Gjyqësor Tiranë, i lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit, nuk është i bazuar në ligj e si i tillë nuk duhet të pranohet", shkruhet në vendimin e Gjykatës së Lartë, datë 20.5.2008.

Vjedhja e pronës, Bashkia shkeli ligjin “Për Sportin”

zirina llambro

Shkelje e hapur edhe të një ligji që qeveria ka miratuar këtë vit. Pronarët e ligjshëm të fushës "Ali Demi" kanë gjurmuar këtë pjesë, sërish në favor të tyre. Gjithçka e shkruar e zezë mbi të bardhë. Bëhet fjalë për nenin 31 të ligjit "Për sportin", i ndryshuar më datë 21 korrik të 2008, i botuar në gusht në fletoren zyrtare. "Objektet sportive privatizohen nga pronarët e truallit kur ka të tillë, në të kundërt jepen me koncesion në përputhje me ligjin e koncesioneve, me kusht që të mos u ndryshojë destinacioni", thuhet në nenin 31 të ligjit. Por sipas pronarëve, bashkia e ka shkelur me të dyja këmbët. "Jo vetëm që nuk e kemi marrë ne që jemi pronarë të truallit, por bashkia ka ndryshuar edhe destinacionin. Kjo pasi nuk e ka lënë si fushë sportive por e ka kthyer në lulishte me shatërvan", shprehet Bashkim Toska. Ai pohon se më shumë sa kaq nuk ka në dorë të bëjë për të vërtetuar vjedhjen e bashkisë. "Zotërojmë tre vendimet e gjykatave që na shpallin fitues, certifikatat e pronësisë nga hipoteka, vërtetimin e Komisionit të Kthimit të Pronave dhe kadastrën e vitit 1926. Nëse këto nuk mjaftojnë, për të vërtetuar që në mënyrë arbitrare po abuzohet me ne e me liritë e të drejtat tona, atëherë vetëm Strasburgu mbetet zgjidhje. Qeveria nuk paska asgjë në dorë për të ndaluar këtë uzurpim", thekson Toska.
Vërtetimi i pronësisë
Trualli prej 16 459 m2 te fusha e "Ali Demit" iu është kthyer pronarëve si tokë e lirë në vitin 1997. Ka qenë Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave që e ka cilësuar të lirë tokën. Nëse në të do të kishte plan për të ndërtuar një vepër publike, atëherë pronarët do të ishin futur në listën e kompensimit. "Për aq kohë sa është i lirë, as i zaptuar dhe as me ndonjë ndërtesë shtetërore, ligjërisht i takon pronarëve. Në të kundërt, ne do kishim marrë kompensimin", shprehet Bashkim Toska.  Ai thekson se kanë fituar edhe gjyqin me personin që e kishte zaptuar këtë truall përpara vitit 1994. "Veç kësaj nëse do të kthehemi akoma më pas në kohë, kemi edhe vërtetimin e kadastrës, sipas të cilit prona jonë është regjistruar që në vitin 1926", thotë ai. Sa i përket certifikatave të pronësisë, Toska nënvizon se janë tre të tilla sipas ndarjes së sipërfaqeve. Saktësisht njëra për 5000 m2, tjetra për 10.700 m2 dhe tjetra për 3.400 m2. Ato mbajnë datën 2 shtator të këtij viti, ndërsa Rama ka bërë me dije për mediat nisjen e punimeve të lulishtes në datë 10 shtator. Vetëm 8 ditë më pas. Pas denoncimit të pronarëve, nuk ka asnjë reagim nga Bashkia e Tiranës. Por ndërsa kjo pritej, asnjë masë nuk është marrë edhe nga strukturat e tjera të shtetit. E gjithë kjo çështje aspak kalimtare duket se po kapërcehet me një indiferentizëm që në fakt dëshmon për shumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›