E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në opozitë me vetveten për arsimin

Ermal Hasimja 

Nëse do të dëgjosh me vëmendje fjalimet e kryeministrit, nganjëherë (por jo shpesh ama) të krijohet përshtypja se ai e di veten ende në opozitë. I tillë është konkretisht rasti i asaj që kryeministri thotë dhe bën për arsimin. Do të ndalem këtu kryesisht në raportin misterioz që qeveria ka  ...me arsimin jopublik. Prej më tepër se një viti, z.Berisha deklaron kudo ku ka mundësinë se qeveria do të mbështesë arsimin jopublik (ose “privat” për profanët e gjuhës ligjore). Një vit më parë, vetëm pak pasi qeveria shpalli këtë qëndrim shumë pozitiv, Kuvendi kaloi pa asnjë konsultim me të interesuarit (institucionet arsimore, prindërit, studentët etj.) dhe në kohë rekord miratimin e TVSH-së për arsimin jopublik, duke i vënë atij në kurriz një barrë sa të padrejtë aq edhe të rëndë. Arsyeja kryesore përse nuk u bë ndonjë zhurmë e madhe kundër kësaj nisme ishte besimi te premtimi i mëpastajmë i z.Berisha, se qeveria do të gjente mënyrën për ta mbështetur arsimin jopublik, mbështetur edhe me justifikimin se TVSH-në e donte FMN-ja. Por tani që gogoli i FMN-së po davaritet ngadalë, në horizont mbetet vetëm premtimi i parealizuar. Por kjo nuk është thjesht çështje premtimi. Zbatimi i TVSH-së për arsimin jopublik përbën mbi të gjitha shkelje e rëndë e barazisë mes shtetasve të këtij vendi, sidomos mes atyre që studiojnë dhe paguajnë fatura shkollimi. TVSH-ja është një goditje e rëndë, të cilën disa institucione të arsimit jopublik vështirë se do ta përballojnë. Ajo paguhet vetëm nga nxënësit dhe studentët që studiojnë në institucionet private, pasi kanë paguar një herë taksa për të financuar ekskluzivisht arsimin publik. Vetë kryeministri Berisha e pranoi hapur dhe shumë sinqerisht këtë padrejtësinë në një nga emisionet më të ndjekura televizive, duke premtuar paralelisht zgjidhjen e problemit. Gjë që nuk ka ndodhur.
Nga ana tjetër, ajo që bën kërdinë në sfond është sistemi i pabarabartë i rishpërndarjes së taksave të paguara. Të gjithë paguajnë taksa, nga të cilat një pjesë shkojnë për arsimin, por ama vetëm për arsimin publik. Arsimi jopublik (ose privat në zhargonin gazetaresk), trajtohet de facto si armik publik. Për të qenë të drejtë nuk duhet të harrojmë liberalizimin e licencimit dhe eliminimin e korrupsionit të lidhur me të, që është për t’u lavdëruar. Mirëpo arsimi jopublik sot për sot ekziston pavarësisht masave të qeverisë dhe jo në sajë të tyre. Madje, edhe çështja e licencave ka elementin e saj problematik. Pas licencimit të masterave fantaziozë dhe masivë nëpër universitetet publike anembanë vendit, qeveria e ka marrë shtruar me licencimin e masterave të universiteteve jopublike, ndërkohë që qindra studentë presin të nisin studimet nga dita në ditë.
Ka një mospërputhje të fortë mes shpalljes së qeverisë për të mbështetur arsimin jopublik dhe asaj që ajo bën realisht, e mbi të gjitha e asaj që nuk bën dhe pse e ka premtuar dhe duhet ta bëjë. Duke dëgjuar kryeministrin që konstaton pabarazinë e trajtimit të shkollave publike e private, të krijohet përshtypja se po dëgjon qëndrime të një opozitari që nuk është i kënaqur me punën e qeverisë. Por z.Berisha nuk është në opozitë. Ose është në opozitë me qeverinë që drejton, ose e ka arkivuar çështjen si “prioritet madhor” i dorës së tretë. Mirëpo shembuj si ai i Irlandës, që e përdori arsimin si shtyllën kryesore të zhvillimit të saj mbresëlënës, janë domethënës dhe nuk duhen anashkaluar.
Argumenti se qeveria ka plot gjëra urgjente në dorë nuk është fare serioz. Qeveria ka një ministri të tërë arsimi. Dhe urgjenca ka gjithmonë. Për më tepër z.Berisha e ka shprehur edhe vetë me shumë elokuencë se është i vetëdijshëm se ndryshimi në këtë vend i ka rrënjët të përmirësimi i sistemit arsimor. Ky përmirësim nuk bëhet thjesht me rritje të fondeve për arsimin, aq më tepër kur përdoren në mënyrë të pabarabartë dhe diskriminuese.
Kjo qeveri nisi një rrugë të mbarë për arsimin kur erdhi në pushtet. Aktualisht, të paktën për çështjet që përmenda më lart, ajo ka adoptuar një lloj gjuhe opozitare me vetveten. Midis konstatim/premtimeve të socialistëve dhe atyre të kryeministrit, sot është vështirë të dallosh kush është në pushtet e kush është në opozitë. Nëse ky qëndrim hyn në hapësirën kohore të fushatës së ardhshme, mund të marrë formën e premtimeve elektorale që vështirë se besohen. Sepse dikush që është në pushtet nuk ka nevojë të premtojë, sepse nuk është në opozitë. Mjafton të realizojë. Nëse premton, eventualisht ka diçka që nuk shkon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›