Grevë urie nën rrënojat e pallatit
GJIROKASTER
Banorët e pallatit të shembur në lagjen “11 Janari” hyjnë në grevë urie pas paralajmërimeve të ditëve më parë. Dhjetë kryefamiljarë kanë lënë shtëpitë me qira dhe janë ngujuar në depon e mbetur në këmbë, pranë gërmadhave të pallatit ku jetonin deri më 9 nëntor.
Grevistët janë mbledhur së bashku mesditën e të hënës para rrënojave të godinës së rrëzuar, ku humbën jetën 3 banorë dhe në shenjë demonstrative, kanë vendosur një shirit ngjyrë të kuqe përreth kokës, duke zyrtarizuar veprimin e tyre me formën më ekstreme të protestës. Për ta, ngjyra e kuqe është simboli i gjakut dhe sakrificës, për të kërkuar të drejtën legjitime. Fillimisht 6 kryefamiljarë kanë qenë të përzgjedhur për t’u vetësakrifikuar në kushtet e një indiference të theksuar nga ana e qeverisjes vendore dhe asaj qendrore për problemin me të cilin ndeshen prej mëse një muaji, ndërsa më vonë ky numër ka shkuar në dhjetë të ngujuar. Përjashtim kategorik për pjesëmarrje në grevë, kanë bërë gratë dhe fëmijët, ndonëse ata kanë qenë të predispozuar për t’iu bashkangjitur protestës ekstreme. Ngujuesit fillestarë përkatësisht Fejzi Aliaj, Maksim Braho, Ibrahim Braho, Vullnet Sinani, Axhem Mene dhe Bilbil Tena, kanë shprehur tone kritike përgjatë gjithë ditës së djeshme karshi pushtetit, i cili sipas tyre i ka lënë në mes të 4 rrugëve prej një muaji pa asnjë lloj ndihme konkrete. Të gjithë të ngujuarit janë tepër të vendosur që t’i shkojnë deri në fund misionit të tyre sublim, i cili ka në themel, sipas tyre, një të drejtë legjitime: për të jetuar dhe pasur një shtëpi si të gjithë njerëzit. Asnjë lloj ushqimi apo dhe pije nuk kanë pranuar përgjatë ditës së djeshme grevistët, duke bërë realitet premtimin e dhënë për të mos vënë gjë prej gjëje në gojë, “përveçse helmit nëse do të jetë e nevojshme”, shprehen ata. Në orët e pasdites, grevës i janë bashkuar edhe 4 banorë të tjerë të pallatit të rrëzuar, përkatësisht Imzo Haskaj, Hadër Haskaj, Shpëtim Llocko dhe Shkëlqim Hunda. Dy prej grevistëve, ndonëse me probleme të theksuara kardiake, kanë refuzuar edhe marrjen e medikamenteve të nevojshme. Për ta, nuk ka rrugëzgjidhje tjetër veç grevës së urisë për të marrë dëmshpërblimin e premtuar. Sipas grevistëve, prefekti u pohoi pak ditë më parë se qeveria do t’u akordojë kompensimin me vlerë 23 mijë lekë/m2, kundrejt vlerës 42 mijë lekë/m2 që shpresonin ata. I pyetur për këtë çështje, prefekti Spiro Ksera u shpreh dje se “qeveria shqiptare do të përmbushë kërkesat e grevistëve të urisë me çmimin që ofrohet nga Enti Kombëtar i Banesave dhe bazuar në dosjen me vlerësimet e kryera në terren”. Ndonëse nuk ka përmendur shifra, Ksera deklaroi se qeveria do të dëmshpërblejë me një shumë të lartë edhe dëmet e orendive shtëpiake por kjo kërkon pak kohë. Për iniciativën e fundit të banorëve të pallatit, të cilët kanë hyrë në grevë urie, Ksera është shprehur se është e drejta e gjithsecilit të ndërmarrë veprime të pavarura. Gjatë ditës së djeshme grevistët u vizituan nga kryebashkiaku Flamur Bime, i cili nuk ka mundur t’i bindë ata në lënien e grevës së urisë.
“Greva, presion shtetit që po na lë mes 4 rrugëve”
Axhem Mene, një prej 10 grevistëve, thotë se greva e urisë ishte e fundit mundësi për t’i bërë presion shtetit për zgjidhjen e fatit të tyre. Për të dhe të tjerët nuk do të ketë lënie të saj, derisa të kompensohen për shtëpitë që humbën.
Përse hytë në grevë kur kishte ende kohë për t’u sqaruar rreth kërkesave tuaja?
Hyrja jonë në grevë është e vetmja “armë” që na ka ngelur për t’i bërë presion shtetit që të kthejë kokën nga ne. Secili ka të drejtë të ketë një shtëpi si gjithë të tjerët. Në ditët e para pas tragjedisë, vetë Presidenti i Republikës si dhe përfaqësues të tjerë të shtetit, na premtuan se dëmshpërblimi për apartamentet tona do të jetë kesh në dorë dhe vlerësimi do të ishte me atë që ka tregu i sotëm, pra deri në 42 mijë lekë/m2, por gjatë një takimi me prefektin e Gjirokastrës, mësuam se kjo shumë nuk i përafrohet aspak asaj që ka premtuar qeveria. Kjo e fundit jo vetëm nuk e ka kaluar dosjen, por na thanë se vlera e dëmshpërblimit do të jetë diku te 23 mijë lekë, pra afro gjysma e vlerës së premtuar.
Përse nuk e pranoni këtë shumë?
E si mund të jetë e pranueshme, kur nuk mund të blesh apo dhe të ndërtosh një dhomë me aneks. Nëse do t’i bëni vetë llogaritë për aq sa kam pasur unë, 88 m2 del se shuma që do të më jepej, nuk mjafton fare për të blerë një apartament qoftë edhe 45 m2. Kur ishim në ditët e para të tragjedisë, të gjithë erdhën që nga presidenti e deri te Kryetari i Bashkisë, por sot askush nuk na dëgjon. E vetmja formë është greva e urisë. Neve nuk na ka ngelur asgjë tjetër veçse shpirtit që kemi edhe ky shpirt është i vrarë, tani edhe këtë pasuri që kemi nuk e duam sepse nuk na duhet në kushtet e një endacaku pa shtëpi. Jemi të gjithë kokë-kokë në ambiente me qira dhe na duket vetja si jetimë. Juve nuk e keni provuar ndonjëherë dhe uroj mos ta provojë askush që të të humbasë e gjithë, ajo çka është ndërtuar me mund e djersë për një jetë, brenda 1 sekonde.
Ekspertët mbledhin provat
Gjatë ditës së djeshme ka rënë në sy puna e ekspertëve të organit të akuzës së Gjirokastrës. Ata kanë ndërmarrë një sërë ekspertizash në vendin ku do të ndërtohej godina shumëkatëshe, e cila dyshohet se shkaktoi tragjedinë e 9 nëntorit. Një ekskavator ka rrëmuar themelet e godinës që pritej të ndërtohej për të parë në terren punimet e ndërmarra në të, si dhe vërtetuar mënyrën e zbatimit të projektit nga inxhinierët e arrestuar. Kampione të themeleve të betonta, janë marrë dje nga prokuroria me kujdesin më të madh, duke zbatuar në mënyrë rigoroze format e hulumtimit të kësaj çështjeje deri në detajet teknike. Para pak ditëve, kryeprokurori i Gjirokastrës Alfred Saliu, u shpreh se kjo çështje është duke u shqyrtuar dhe ende nuk është plotësuar dosja për t’u përcjellë në gjyqësor.