E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika klienteliste e qeverisë me pagat

Filloreta Kodra 

Raporti i fundit i BE-së në  pjesën e administratës publike ka vlerësuar se reforma në këtë sektor praktikisht është kthyer prapa në praktikat e vjetra të emërimeve politike, duke theksuar “Emërimet kanë kaluar nëpër linjat e partive politike në kundërshtim me Ligjin e Shërbimit Civil”. Nuk po ndalem në morinë e pafund të largimeve nga puna të ankimuara e disa edhe të fituara nga nëpunësit civilë, në këtë shkrim do të analizoj vetëm vendimin e Këshillit të Ministrave për pagesën e gradave dhe titujve shkencorë, si një formë shpërblimi për militantët partiakë dhe nëpunësit “e bindur” ndaj “shefave”, shprehje e qartë e klientelizmit dhe nepotizmit që zotëron sot administratën publike.
Mënyra e  përfitimit të kësaj shtese deformon konceptin mbi të cilin bazohet sistemi aktual i pagave në shërbimin civil e administratën publike që është: shpërblim të barabartë për vend pune të barabartë dhe që është zbatuar në vitin 2001. Sistemi i pagave kishte në qendër të tij shpërblimin e punonjësve të bazuar në kërkesat e vendit të punës, që do të thotë se kualifikimi personal duhet t’i përshtatet atyre detyrimeve e njohurive për të cilat ka nevojë një vend pune në administratë dhe kualifikimi i mëtejshëm, edhe si kërkesë e strukturës së pagave, duhej të bëhej gjithashtu në përputhje me kërkesat dhe nevojat e atij vend pune. Mënyra se si qeveria ka zgjidhur apo shtuar pagat e nëpunësve që kanë marrë tituj e grada shkencore, jo vetëm që nuk stimulon kualifikimin pasuniversitar, nuk shërben për tërheqjen e studentëve të rinj të arsimuar e kualifikuar jashtë shtetit, ashtu siç është reklamuar, shtrembëron strukturën e pagave dhe krijon edhe premisa për tensione e mosmarrëveshje ndërmjet nëpunësve ekzistues e atyre që hyjnë të rinj.
Shtesa për titull shkencor është e diferencuar, më tepër për nivelet e larta të nëpunësve e politikanëve (30.000/25.000; sek.pergj, shef kabineti, ministër) më pak për nivelet e ulëta (20.000/10.000; pergj.sekt.,specialist).
Është një vendim diskriminues, sepse është i diferencuar për nivele të ndryshme, më i lartë për nëpunësit e lartë e ata politikë, më i ulët për nëpunësit e niveleve të ulëta; demotivues sepse trajtohen në mënyrë më të privilegjuar e më të vlerësuar ata që kanë mbaruar shkollat e larta jashtë vendit, edhe këta vendimi i trajton në mënyrë selektive; dhe më pak të vlerësuar ata që kanë mbaruar shkollat e larta brenda vendit, duke dëshmuar edhe njëherë dështimin e reformës në arsim, të cilat kryeministri i vendit i ka konsideruar “shumë të suksesshme”. Në këtë mënyrë disa nëpunës trajtohen si “të dorës së parë” e disa “të dorës së dytë”; kualifikimi, apo grada që ka marrë një sekretar i përgjithshëm, apo këshilltar i ministrit, megjithëse mund të jetë e të njëjtit nivel me titullin apo gradën shkencore të një specialisti paguhet më tepër, duke marrë fiktivisht një vlerë më të madhe dhe padrejtësisht një shpërblim më të lartë.
Duke mos u zbatuar brenda kritereve, që vetë struktura e pagave i ka të përcaktuara qartë edhe për kualifikimin, vendimi shtrembëron strukturën dhe gjithë sistemin duke prishur disa raporte të pagave që kishin filluar t’i jepnin formë sistemit. Kështu, kërkesat për një vend të caktuar pune të nivelit të lartë në ministri, përmbajnë kërkesa për gradë apo titull shkencor që mund të jetë e detyrueshme ose opsionale, por gjithmonë në fushën ku operon vendi i caktuar i punës. Një kufizim i tillë në hartimin e sistemit, synonte nxitjen e kualifikimeve pasuniversitare, sidomos për punonjësit brenda sistemit, duke i hapur rrugën zbatimit të elementit “kualifikim” të pazbatuar brenda strukturës së pagave. Vendimi i qeverisë jo vetëm që nuk merr në konsideratë këtë kriter, por paguan pa dallim titullin apo gradën, pavarësisht nga fusha e studimit, duke e kthyer këtë pagesë pjesë të shpërblimeve të orientuara politikisht për nëpunësit e lartë, sekretar i përgjithshëm apo drejtor i përgjithshëm, që aktualisht janë të gjithë të emëruar politikisht nga Partia Demokratike. Këtyre punonjësve që marrin edhe sasinë më të madhe të shpërblimit (30.000 në muaj) u “vlerësohet” kështu besnikëria partiake e jo niveli profesional. Kjo përforcohet  edhe nga fakti se nuk ka pengesë ligjore për pagesën e titujve për nëpunësit e lartë, por shpërblimi për titull apo gradë shkencore për nëpunësit e niveleve të ulëta, specialistë e përgjegjës sektori duhet të vlerësohen rast pas rasti nga Departamenti i Administratës Publike.
Vendimi i qeverisë për pagesën e titujve e gradave shkencore është vendim që i shërben politizimit të mëtejshëm të administratës publike, prishjes së raporteve ndërmjet pozicioneve brenda administratës, krijimit të tensioneve ndërmjet punonjësve, diskriminimit profesional, duke ulur në këtë mënyrë efektivitetin e punës së administratës. Është një vendim jo transparent e politik, që jo vetëm nuk nxit nëpunësit të rrisin njohuritë e tyre profesionale, por i nxit ata kundër njëri-tjetrit në dëm të punës e shërbimit të qytetarëve dhe i kthen në lakej apo “shërbëtorë të bindur” jo ndaj qytetarëve si bubullinte kryeministri për qeverinë e “shërbesave e të shërbimeve”, por të pushtetarëve që pushtetin e përdorin në interesin e tyre personal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›