E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Lidhja ime me Damir Fazlliç”

 

ADI SHKEMBI

Erion Isufi, i akuzuar si bashkortak i Damir Fazlliç në disa biznese në Tiranë, flet për herë të parë lidhur me këtë çështje. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, ai tregon versionin e tij, lidhur me marrëdhëniet që ka pasur me biznesmenin boshnjak si dhe bizneset e tij në vendin tonë. Sipas Isufit, i cili është edhe kunati i ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, ai nuk ka ushtruar asnjë aktivitet ekonomik të përbashkët me Damir Fazlliç. Isufi thotë se ka qenë i punësuar në njërin prej bizneseve të boshnjakut. “Unë nuk kam ushtruar asnjë aktivitet ekonomik të përbashkët me z.Fazlliç, dhe nuk kam qenë asnjëherë partner, ose ortak me z.Fazlliç. Kam qenë i punësuar si administrator pranë kompanisë “SRF Developments”, e cila nuk ka kryer asnjë aktivitet ekonomik gjatë kohës që unë kam ushtruar këtë detyrë”, thotë në deklaratën e tij Erion Isufi. Më tej ai shprehet se në fund të vitit 2006 ka dhënë dorëheqjen nga posti i administratorit nga dy kompani, të cilat ishin në emër të Fazlliç në vendin tonë, ndërkohë që nga kompania e tretë ka dhënë dorëheqjen në mars të vitit të shkuar. “Dy kompanitë e tjera, “Virtu Acquisitions” dhe “Crown Acquisitions” nuk janë bërë asnjëherë aktive dhe nuk kanë kryer asnjë aktivitet ekonomik gjatë kohës, që unë kam qenë administrator. Nga pozicioni i administratorit kam dhënë dorëheqjen e parevokueshme përkatësisht më 30 dhjetor 2006 për “Virtu Acquisitions” dhe “Crown Acquisitions”, dhe më 20 mars të vitit 2007 për kompaninë “SRF Developments”. Të gjitha këto janë lehtësisht të vërtetueshme dhe verifikueshme nga organet përkatëse”, thekson në këtë deklaratë Erion Isufi. Lidhjen e Isufit me Damir Fazlliç e mohoi dy ditë më parë edhe ministri i Jashtëm Lulzim Basha. Gjatë një fjalimi në parlament, por edhe në një prononcim për mediat në përfundim të seancës kuvendore, Basha tha se as ai dhe as kunati i tij nuk kanë pasur ndonjëherë lidhje biznesi me Damir Fazlliç. “Edhe një herë unë i qëndroj asaj që kam thënë në Parlament, e transmetoni pikë për pikë. Është e qartë dhe i qëndroj me përgjegjësi të plotë, mendoj se shtypi i lirë, media e pavarur, ka për detyrë që ta hetojë dhe ta zhbirilojë të vërtetën deri në fund. Nga zhbirimi i së vërtetës deri në fund duket qartë se kemi të bëjmë me një fushatë shpifjesh, asnjë nga familjarët, e mi. Zoti Isufi e as unë nuk kemi pasur asnjëherë lidhje biznesi, biznese të përbashkët, ortakëri apo nuk kemi zhvilluar asnjëherë aktivitet ekonomik me zotin Fazlliç”, theksoi Basha. Emri i Erion Isufit u bë publik, pasi ai figuronte si administrator i kompanive të Damir Fazlliçit në vendin tonë. Nga ana tjetër kësaj çështje iu bë jehonë, pasi biznesmeni boshnjak, i cili ka qenë pjesë e stafit të BG&R (kompania e cila bëri fushatën e Partisë Demokratike në zgjedhjet e përgjithshme të 3 korrikut 2005), u pa në disa pamje filmike i ndaluar nga policia e Bosnjës fundjavën e kaluar. Lidhja e dyshuar mes tij dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë shqiptare shkaktoi më shumë se dy orë debat të hënën në kuvend, ku opozita akuzoi kryeministrin dhe ministrat për lidhjet e tyre me biznesmenin boshnjak. Në një konferencë për shtyp lideri i opozitës, Edi Rama i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme të zbardhë të gjithë aferat e dyshimta mes kryeministrit Berisha dhe serbo-boshnjakut, Damir Fazlliç. “Damir Fazlliç së bashku me njerëz të besuar të Berishës kreu disa operacione të paligjshme ekonomike, duke provuar kështu një hallkë tjetër të korrupsionit në qeveri. As grabitja e fondeve Durrës-Kukës dhe as tragjedia e Gërdecit nuk janë të shkëputura nga një skenar i kapjes së shtetit dhe i ngritjes së një sistemi klanor, që ka si tutor kryeministrin Sali Berisha”, u shpreh Rama. Ndërsa Partia Demokratike në një deklaratë zyrtare të zëdhënësit të saj, Gerti Bogdani, çdo qytetar është i lirë të bëjë biznes në Shqipëri. Sipas PD-së, biznesmeni boshnjak nuk ka përfituar asgjë nga fondet publike të qeverisë.

Kush është Erion Isufi?

Erion Isufi ka përfunduar gjimnazin “Sami Frashëri”, në vitin 1996 dhe një vit më vonë ka bërë një kurs gjuhe në Holandë. Nga viti 1998 deri në 2004 ka ndjekur studimet e larta dhe masterin në Universitetin e Utrehtit në Holandë për histori të marrëdhënieve ndërkombëtare. Nga nëntori 2004 deri në shkurt 2005 ka punuar si përkthyes në UNMIK në Kosovë. Në periudhën mars-gusht 2005 ka qenë Koordinator i Komitetit të Orientimit të Politikave, ndërkohë që nga marsi deri në qershor të këtij viti ka qenë pjesë e fushatës së kandidatit për deputet në zonën 33 në Tiranë, Lulzim Basha. Ndërkohë, për tre muaj nga maji 2007 deri në korrik 2007 ka qenë pjesë e fushatës së kandidatit për deputet Eris Hoxha në Pogradec.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›