E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy firmat e tjera të Fazlliçit, të shitura sërish te njerëz të krimit

Nga Tema

Nuk ka të sosur historia e mashtrimeve dhe lidhjeve të Damir Fazlliç me të gjithë mafiozët dhe të korruptuarit e këtij rajoni. E pas vitit 2005, në lojë është dhe Shqipëria.

Skandali i shitjes së njërës prej firmave të tij ndaj një kompanie në Qipro mund të pasohet me të tjera fakte, kësaj radhe për firmat e tjera të tij. Fazlliç krijoi tri firma menjëherë pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike. Dy prej tyre, të cilat u krijuan më datë 19 shtator 2005, pikërisht “Virtu Acquisitions” dhe “SRF Developments”, i janë shitur një tjetër njeriu të botës së krimit në rajonin tonë, Abdilgafar Ramadanit.

Më 14 nëntor 2005, dy shtetas gjermanë (Abdilgafar Ramadani dhe Jürgen Röber) blenë 55 për qind të aksioneve të “Virtu Acquisitions”, ndërsa adresa e firmës u zhvendos në selinë e re te Kullat Binjake, Kulla 2, kati VIII (e njëjtë me “DF Trade Limited” që është një tjetër kompani e Fazlliç dhe që është aktive momentalisht).

Gati një muaj më vonë, më 12 dhjetor 2005, Ramadani vetëm bleu 50 për qind të aksioneve të “SRF Developments”, ndërsa adresa e firmës u zhvendos në selinë e re në “Dëshmorët e Kombit”, Kulla 2, kati VIII (e njëjtë me “DF Trade Limited”).

Personi në fjalë, Ramadani, me kombësi gjermane, e me origjinë nga Maqedonia, është i akuzuar në vendin e tij për një skandal të madh, ku janë të përfshira banka, por dhe bota e sportit.

Rasti

Siç raportojnë mediat gjermane, në janar të vitit 2003, Abdilgafar Ramadani, që bën dhe rolin e menaxherit të shitblerjeve të lojtarëve, është larguar nga një zyre noterie në Hamburg me 1 milion euro pará cash, në një qese plastike, me destinacion Ballkanin, për të blerë futbollistë. Por, në bazë të hetimeve, Ramadani rezultonte një kredimarrës dhe në fakt destinacioni i parave të marra nga “Volksbank Lauenburg” nuk ishte blerja e lojtarëve, siç ishte parashikuar në kontratë, por një projekt ndërtimi në Shkup. Ai është ndihmuar në këtë aferë nga 41-vjeçari Bashkim Osmani dhe vëllai i tij Burimi, 44 vjeç.

Në këtë moment shfaqet në skenë dhe emri i personit të dytë që ka blerë aksionet e firmës së Fazlliç, “Virtu Acquisitions”, pikërisht i të famshmit Jürgen Röber, ish-trajner i Hertës se Berlinit dhe Majorkës. Prokurorët në Hamburg nuk kanë gjetur ende destinacionin e qeses plot me pará të Osmanit dhe Ramadanit. Për çështjen në fjalë, shefi i bankës në kohën e skandalit, Carsten Heitmann, (64 vjeç) është dënuar me katër vjet e gjysmë burg, ndërsa ish-anëtari i Këshillit Mbikëqyrës të bankës Hauke Hillmer është dënuar me tre vjet e 9 muaj burg.

Për këtë skandal raporton edhe media maqedonase. Agjencia INA shkruan se ndërtesa ku janë përfshirë këto pará është simbol i korrupsionit.

“Ish-hotelieri 44-vjeçar dhe ndërmjetësues i lojtarëve, para gjykatës ka dalë në rolin e dëshmitarit duke shpjeguar se si ka arritur që të fitojë projektin për ndërtimin e një megandërtese në Shkup. Ky objekt me sipërfaqe prej 35,000 metrash katrorë, i cili gjendet përballë stadiumit të qytetit, sipas prokurorisë gjermane, në Maqedoni njihet si simbol i manipulimeve dhe korrupsionit. Gjatë dëshmisë së tij, Ramadani ka shpjeguar se si është involvuar në këtë proces dhe se si së bashku me Bashkim Osmanin kishin marrë një kredi prej një milion eurosh nga Banka Popullore e Laufenburg-ut”, - thuhet në raportin e INA-s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›