Prokuroria hap hetimet "kryesisht" për çështjen ‘Fazlliç’
Burime nga organi i akuzës thanë për gazetën “TemA” se provat e botuara në shtyp në lidhje me skandalin ‘Fazlliç’ janë konspektuar e së shpejti pritet të nisë hetimi zyrtarisht për këtë çështje.
Këto burime pranuan se hetimet do nisin kryesisht për çështjen ‘Fazlliç’.
Mediat janë një nga burimet prej nga organi i akuzës merr indiciet e saj për të nisur hetime, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje që prekin sigurinë kombëtare dhe për raste të rënda korruptive si rasti në fjalë.
Gazeta “TemA” botoi të dielën fakte tronditëse në lidhje me një nga sekserët më të njohur në rajon, i akuzuar për mashtrim dhe gjobëvënie dhe i dyshuar për përfshirje në krime politike, rasti konkret është vrasja e kryeministrit serb, Zoran Xhinxhiç. Damir Fazlliç, një emër i njohur në skenën politike dhe ekonomike të rajonit, në bashkëpunim me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë dhe me vajzën e kryeministrit, kanë arritur që të ndërtojnë një perandori ekonomiko-kriminale në vendin tonë.
Kulmi ka arritur kur një nga firmat e ngritura nga Fazlliç, e që administrohej nga kunati i Lul Bashës, e cila nuk zotëronte asnjë aset, është shitur te një tjetër firmë fantazmë në Qipro, për një shumë të jashtëzakonshme prej 1.75 milionë eurosh.
Por, pas disa hulumtimeve të gazetës “TemA”, rezulton se firma në Qipro, që ka bërë këtë “dërgesë” prej miliona dollarësh, është në pronësi të Aleksandër Lupsiç, që ka në pronësi gjithashtu dhe kompaninë “Rudnap” që ka shitur energji me çmime super të larta në Shqipëri. Ndërmjetës që “Rudnap” të bëhet furnizuesi kryesor në Shqipëri ka qenë Damir Fazlliç.