E Shtunë, 31 Tetor 2026

Megalomania e lidershipit të PS

 

Prof.Dr.Sokol Axhemi

Me sa duket konturimi gjeografik i malit të Dajtit, bëri të mundur t’i japë “forcë” lidershipit të PS-së të pretendojë se zgjedhjet e 2009-ës i fitonte ai vetë dhe ajo pjesë e partisë që po i shkon pas tij. Pasi kishte synuar që këtë fitore ta merrte me anë të shkrimeve të ndryshme në media të ndryshme teksa sulmonte LSI dhe lidershipin e saj, ai u rrek që të shprehte forcën e tij në këtë deklaratë, e cila ashtu siç u pa nuk u vlerësua nga askush në media apo në politikë. Megjithatë e rëndësishme është të vlerësohet fakti se të tilla deklarata mbajnë brenda vetes pikërisht tharmin e megalomanisë në politikë. E kjo paraqitet problematike në rastin e njerëzve, të cilët mundohen të përdorin median si mjet të rëndësishëm të lajmit politik.
Personalisht jam tërësisht i bindur në rrugën plot probleme të një forcë politike, siç është bërë PS-ja në këto vitet e fundit, nën petkun e politikës së re të lidershipit që luhatet në mes dashurisë për LSI e mikut të tij Ilir, kur afrohen betejat elektorale, apo të urrejtjes apo largimit nga LSI e mikut të tij Ilir, kur mundohet të bëjë politikën e “madhe”.
Ne që jemi marrë nga pak me politikë, e ai që është marrë shumë me politikë, e kujton shpesh besoj fjalët e tij të dikurshme në atë fillimvere të 2005-ës, teksa mundohej t’u tregonte të tjerëve në PS për rolin dhe peshën reale që barte në vetvete LSI, anëtarësia e simpatizantët e saj. Atëherë socialistët nuk e dëgjuan atë. Vetëm rreth një vit më vonë atij iu desh karta e bashkimit të së majtës dhe rendi shpejt pa u vonuar tek miku i tij Ilir për të bërë të mundur angazhimin publik e politik të mikut të tij e LSI në kuadrin e një politike tjetër, që u përpoq të vendoste në mes forcave politike të majta. Asokohe, përkundrazi nuk ishte megaloman, përkundrazi miqësia ishte ndryshe, afërsia ishte tjetërsoj e dashuria shfaqej açik.
Po ashtu ai nuk ishte megaloman as në fillimvitin e kaluar teksa ishte në pozitën e kandidatit për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Përkundrazi hapte e mbyllte mbledhje e takime të përbashkëta, tryeza pune e kafe miqësore me bashkëpunëtorët e aleatët e tij. Pse jo. Ai donte të ishte përsëri fitues. Miku i tij Ilir, në të gjitha këto situata ishte tamam mik, siç e quan ai, sepse në të gjitha rastet me besimin e një bashkëpunimi të ngushtë e afatgjatë gjithnjë në shërbim të së majtës në Shqipëri nuk hezitoi asnjëherë për të bërë më të mirën. Dhe Edi fitoi. Ai nuk qe megaloman, përkundrazi i qetë, i urtë, i gatshëm.
Por qëndrimi tij gradualisht filloi të ndryshojë. Ashtu avash-avash, ngadalë e ngadalë, as nuk i dha LSI ato që kishte premtuar në Tiranë e në njësi vendore të ndryshme të vendit, madje pak e nga pak filloi që ta atakonte atë për rrëshqitje në politikën e vjetër, që qenkan grindjet, shamatat, kërkesat etj., etj. Bile filluan të kërkonin që lidershipi i PS-së të mos ishte vetëm i tyri, por i të gjithëve, të ishte edhe kryetar i Bashkisë, por edhe kryetar i Këshillit Bashkiak, kryeministër, por edhe president, pra i takonte gjithçka në këtë vend vetëm atij dhe grupit të tij. Të tjerët vetëm nëse ai ka ndonjë nevojë për ta.
Nuk ngurruan edhe mjeshtrit e politikës së Partisë së Punës ta nxisnin e ta përkrahnin në rrugën e tij të drejtë, madje me dalje televizive e fjalime pompoze prej udhëheqësi që gjithnjë kanë të drejtë në atë që thonë.
Madje ky lidership nuk mungonte aspak që të thërriste me të madhe se ishin mbrojtës të së drejtës dhe të së vërtetës, se ata ishin të vetmit që përfaqësonin të mirën, e ndërsa të tjerët të keqen, ai vetëm domosdoshmërinë, ndërsa të tjerët…
E këtu nisi megalomania tyre. Menduan se arritën gjithçka se ishin më të fortët e më të zgjuarit. E thanë t’i heqim qafe të tjerët. Të ndërtojmë një kod zgjedhor për të eliminuar LSI-në. E kështu edhe Ilirin e heqim qafe. Nuk e kemi më nëpër tavolina e podiume politike. Nën këtë megalomani të tyre nuk u ndalën aspak, por i thanë Berishës hajde e të mbyllim punë njëri me tjetrin, se nuk na duhen të tjerët. Bëjmë ç’të duash, Kod Zgjedhor a ndryshime në Kushtetutë, vetëm të mos vonojmë.
Por mëkatuan me Berishën e shkelën Kushtetutën e po mundohen të katranosin Kodin Zgjedhor për interesat personale e klanore të tyre e entourage së tyre. Por LSI e kundërshtoi me forcë një gjë të tillë. E po kështu edhe ato që kanë mend në kokë e nuk thurin intriga. E kundërshtuan masivisht edhe shoqëria civile, mjaft analistë e komentatorë politikë të pavarur. Dhe e kundërshtuan gjithnjë nën këndvështrimin e asaj se çfarë përfaqëson një dokument themelor i një shteti, që mbi të gjitha garanton një pavarësi institucionesh.
E nuk munguan në PS e NGO e saj të turren e të shprehin keqardhjen e tyre e të Edit ndaj LSI e mikut të tyre Ilir. Harruan se Iliri e të tijtë e kishin ndërtuar këtë forcë politike e vazhdojnë ta rrisin atë me interesin e vetëm që të bëhen shprehës të interesave të shqiptarëve, e jo të interesave të tyre personale. Harruan që në LSI mosha mesatare është e re dhe të gjithë janë të gatshëm që me shumë qetësi të presin për pushtetin, që shqiptarët do t’u besojnë atyre.
Një gjë e tillë vuri në alarm lidershipin e PS-së. Të ndodhur në pikën kritike të tyre, teksa gradualisht po ndodh një valë tjetër ikjeje nga radhët e saj, pozita të diktuara edhe nga rezultatet elektorale që po e nxjerrin PS-në dukshëm në pozita inferioriteti në raport me LSI, duhej gjëmimi. Dhe ai erdhi nga mali i Dajtit. Do të fitojmë të vetëm zgjedhjet e 2009-ës. Unë mund të shkruaj vetëm se kjo ishte një megalomani tjetër e lidershipit të PS-së, ndërsa komentet le t’i bëjnë të tjerët.
Veçse nuk mund të rri pa shprehur keqardhjen, madje ndjehem i keqardhur që lidershipi i PS-së i ka hyrë një rruge pa krye për ata që e ndjekin pas, pa partnerë e aleatë, duke mos i ngrënë hakun për bashkëpunimin me Berishën. Përsëri vazhdoj të ndjehem i keqardhur që vetëm kur do të ketë nevojë do të kërkojë e ndjejë brenda vetes domosdoshmërinë e thënies në mënyrë të çiltër e të sinqertë “miku im Ilir”.
Megalomania nga mali i Dajtit shpreh vetëm ecurinë në rrugën e gabuar e padyshim luhatjen politike të radhës, jo në drejtimin e duhur të lidershipit aktual të PS-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›