Berisha: Fazlliçin, po të doni, ua sjell këtu
Kryeministri, Sali Berisha, pranoi dje se e njeh trafikantin boshnjak, Damir Fazlliç, por duke lënë të kuptohet se nuk i ka bërë asnjë favor atij. Berisha tha se është i gatshëm ta sjellë në Kuvend Fazlliçin, por është opozita ajo që do të dalë e humbur nga ky ballafaqim. Nga ana tjetër, kryeministri u shpreh se është i gatshëm të përballet me çdo lloj mocioni që do të paraqesë opozita për këtë çështje. “Nëse nuk keni frikë prej tij, pranoni të vijë këtu të flasë. E pres me kënaqësi të madhe atë mocion, vetëm përgatituni për transparencën më të madhe të historive të këtij vendi.
Jam detyruar të mbaj një heshtje që kam kohë që e mbaj, po do shpërthej. Do sjell këtu çdo gjë të vërtetë. Ju kërkoni mocion mosbesimi. Mezi po e pres. Unë di shumë gjëra, por s’i kam thënë, i kam mbajtur, po të doni ju, sjell këtu Damir Fazlliç, por është opozita ajo që nuk e do këtë”, - tha Berisha. Ndërkohë, nga ana e saj, opozita me anë të kryetares, Valentina Leskaj, u shpreh se është e gatshme të presë Fazlliçin, nëse Berisha e sjell në Shqipëri. “Ne nuk kemi frikë nga e vërteta”, - u shpreh Leskaj.
Por, për herë të parë është pozicionuar dje dhe ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, i përfolur për lidhjet e tij të ngushta me këtë person. Nga ana e tij, Basha u shpreh se Fazlliç s’ka marrë asnjë përfitim nga fondet publike, kur Basha ka administruar Ministrinë e Transporteve. Basha, nga ana e tij, u shpreh se s’ka asnjë lidhje me Fazlliç, dhe akuzoi Ramën si iniciatorin e akuzave ndaj tij. “Prej dy ditësh, zoti Rama po trumbeton një tjetër shpifje për manipulimin e opinionit publik. Prej dy ditësh, ata kanë dalë para publikut për të bërë atë që dinë më mirë. Fytyra e vrerosur e së keqes doli sërish sot duke mbllaçitur gënjeshtrën që vetësajoi dhe e shpërndau me një rrjet që ka për ta pasur zili dhe Sigurimi.
Unë deklaroj se zoti Fazlliç s’ka marrë asnjë centezë nga fondet që unë kam administruar. Ndërmjet Fazlliç dhe familjarëve të mi s’është zhvilluar asnjë biznes. Akoma nuk është thënë se çfarë ligji është shkelur. Por njeriu që nuk di të thotë asnjë fjalë të mirë për Shqipërinë, kur po ecën përpara, ai që nxin çdo hap që Shqipëria hedh drejt së ardhmes, nxitoi sot për të hedhur shpifjen e radhës”, - tha Basha.