E Diel, 1 Nëntor 2026

Afganistan 18 viktima nga sulmi ne nje hotel ne Kabul

Një luftë e vërtetë zgjati të paktën 5 orë në zemër të Kabulit, kryeqytetit të Afganistanit. Hoteli Intercontinental në qendër të krtyeqytetit u sulmua e në mes të errësirës së plotë paniku pushtoi banorët nga breshëritë e armëve dhe shpërthimet. Sulmi i talibanëve në orët e para të mëngjesit u ka marrë jetën 18 personave, ndërsa ka lënë të plagosur disa të tjerë.

Një nga zëdhënësit e Ministrisë së Brendshme, i ka thënë Radios Afganistani i Lirë, se gjashtë kamikazë janë angazhuar në këtë sulm. Ai ka thënë se dy janë vrarë nga garda e hotelit, ndërsa  katër të tjerë kanë arritur që të detonojnë eksplozivin. Ndërsa bilanci i viktimave mbetet ende provizor. Talebanët morrën menjëherë përgjegjësinë për sulmin në fjalë.

Në momentin e sulmit në hotelin më të madh e më luksoz të Kabulit po mbahej ceremonia e një dasme, ndërsa në një sallë tjetër ishin mbledhur guvernatorë të provincave për të marrë pjesë në një konferencë mbi sigurinë që do të fillonte punimet pak orë më pas.

Në orët e para të mëngjesit nga hoteli në qendër të sulmit vëreheshin ende re të dendura tymi. Nga vendgjarja bëhet e ditur se ishin helikopterët e NATO-s ata që i dhanë fund rrethimit 5 orësh, duke vrarë talebanët në çatitë e duke krijuar një korridor të sigurt për trupat e koalicionit të hynin në brendësi të hotelit për të asgjësuar anëtarët e tjerë të komandës që kishin sulmuar hotelin luksoz të preferuar nga diplomatët e të huajt.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›