Australi, plan për rrëzimin e kryeministres?

Zyrtarë të rëndësishëm të Partisë Laburiste në Australi kanë mohuar me indinjatë zërat për një komplot për rrëzimin nga pushteti të kryeministres Julia Gillard.
Gazeta australiane “Daily Telegraph” shkruante se eksponentë të pakënaqur brenda laburistëve po planifikonin ta zëvendësonin zonjën Gillard me ish-liderin Kevin Rudd.
Ministri Stephen Conroy ka deklaruar se gazeta po lobonte kundër laburistëve dhe i ka sugjeruar opinionit publik që ta lexojnë atë vetëm për faqet sportive.
Zoti Rudd, që aktualisht është në postin e ministrit të Jashtëm, ka deklaruar nga ana tjetër se është i kënaqur me detyrën e tij. Ai u zëvendësua si kryeministër nga zonja Gillard pas një lëvizjeje brenda partisë para zgjedhjeve të përgjithshme që u mbajtën vitin e kaluar.
“Daily Telegraph” shkruante se tani, Rudd po këshillohet nga aleatët e tij se si të rrëzojë kryeministren. Por deputetët laburistë i dhanë mbështetjen e tyre zonjës Gillard, që në javët e fundit është detyruar të mbrojë disa herë lidershipin e saj.