Referendumi në Greqi, deputetë të Pasokut kundër

Greqia po përjeton orë dramatike pas deklaratës së kryeministrit Jorgos Papandreu për zhvillimin e një referendumi mbarëpopullor, që ka të bëje me votimin ose jo të marrëveshjes së 27 tetorit në Bruksel.
Takimi i djeshëm në Kanë dhe ultimatumi i dy liderëve të eurozonës, Merkel e Sarkozy për zbatimin e planit të shpëtimit ka ngjallur reagime të shumta në skenën politike greke, ndërsa pozitat e kryeministrit Jorgo Papandreu po lëkunden tashmë edhe brenda radhëve të partisë së tij.
Grupi parlamentar, që pritet të mblidhet me urgjencë rreth mesditës, pritet të debatojë mbi qëndrimin e mbajtur nga kancelaria gjermane Angela Merkel e presidenti francez Nikolas Sarkozy për mbajtjen e një referendumi, që do të ketë në thelb pyetjen nëse grekët duan të qëndrojnë ose jo në eurozonë dhe jo pyetjen e kërkuar nga Papandreu, nëse janë ose jo dakord me planin e shpëtimit të firmosur në 27 tetor në Bruksel nga 17 liderë të eurozonës.
Pas ministrit të Financave, Venizelos i cili deklaroi se nuk duhet të zhvillohet një referendum që vë në diskutim daljen e Greqisë nga Euro, shprehen “kundër” edhe ministri i shëndetësisë Andreas Loverdos si dhe ministri për Zhvillimin Rural Kostas Skandalidis, të cilët kërkojnë takim urgjent të grupit parlamentar të PASOK.
Ministri i Shëndetësisë Andreas Loverdos theksoi nevojën për unitet mes forcave politike, tani që "vendi është në kushtet e një krize jashtë caqeve", tha ai duke u deklaruar pro ndërhyrjes së ministrit të Financave Venizelos për mosmbajtjen e referendumit.
Loverdos kërkoi një takim të menjëhershëm të të gjitha institucioneve të partisë në pushtet, dhe i bëri thirrje opozitës, "për të kontribuar në unitet", për sigurinë kombëtare.
Nga ana e tij ministri Skandalidis në një deklaratë shkruan: “Grupi parlamentar i PASOK duhet të mblidhet për të përcaktuar zhvillimet para votëbesimit të qeverisë. Është e kuptueshme që një referendumi mbi çështjen e qëndrimit ose jo të vendit në eurozonë i mungon sensi, sepse rruga evropiane e vendit është përcaktuar dhe dhe nuk është e negociueshme."
Edhe dy deputetë të PASOK Vardikos dhe Kartalis deklaruan se do t’i thonë “JO” zhvillimit të referendumit me këtë pyetje.
Vardikos tha se do të japë besimin për qeverinë, por nuk mund të votojë në favor të referendumit. Kartalis e përshkroi iniciativën referendum si një "mendjelehtësi politike." Deputetja Eva Kaili ka ripërsëritur publikisht në llogarinë e saj në FB se nuk do t’i japë mbështetjen kësaj qeverie.
Në grupin parlamentar të PASOK ka mjaft deputetë që mund të dalin kundër referendumit, dhe të vënë në dyshim zbatimin e kësaj nisme.