E Diel, 1 Nëntor 2026

Afganistan, aty ku shteti ka dështuar

Shembja e Afganistanit është më afër nga ajo që bota beson. Kandahari është në duart e talebanëve dhe punktet e para të kontrollit të talebanëve janë më pak se 15 minuta nga Kabuli. Qeveria shumë e korruptuar e Hamid Karzait është pothuajse aq e pafuqishme, sa edhe kabineti i Irakut në "Zonën e Gjelbër" të Bagdadit. Shoferët e kamionëve në këtë shtet tani mbajnë leje biznesi të lëshuara nga talebanët, të cilat operojnë me gjykatat e veta nëpër zonat e skajshme të vendit.

Kryqi i Kuq tashmë ka paralajmëruar se operacionet humanitare janë zvogëluar drastikisht në mjaft rajone të Afganistanit; më shumë se 4000 njerëz, së paku një e treta e tyre civilë, janë vrarë gjatë 11 muajve të kaluar, së bashku me plot ushtarë të NATO-s dhe afro 30 punonjës humanitarë. Edhe talebanët dhe qeveria e Karzait po i ekzekutojnë të burgosurit e tyre në numra që vetëm po rriten. Autoritetet afgane kanë varur pesë njerëz në muajin nëntor për vrasje, kidnapim apo dhunim - një të burgosuri, kushëri i largët i Karzait, iu zbut dënimi, gjë që ishte e parashikuar dhe më shumë se 100 të tjerë tani presin dënimin me vdekje në Kabul. Ky nuk është Afganistani diplomatik, paqësor, i rigjallëruar, "i ndjeshëm ndaj gjinive", të cilin bota premtoi se do ta krijonte pas përmbysjes së talebanëve në vitin 2001. Jashtë kryeqytetit dhe në veri të vendit, pothuajse secila grua ka të veshur burkan, që i mbulon të gjitha pjesë e trupit, derisa luftëtarët tani po u bashkohen talebanëve nga Kashmiri, Uzbekistani, Çeçenia e madje edhe nga Turqia. Më shumë se 300 luftëtarë turq tani besohet se janë në Afganistan, shumica e të cilëve mbajnë pasaporta evropiane.

"Askush që unë njoh nuk dëshiron që talebanët ta marrin sërish pushtetin", thotë një drejtor biznesi në Kabul, anonimiteti tani është njësoj si ai i kërkuar në vitin 2001, "por njerëzit e urrejnë qeverinë dhe Parlamentin, të cilëve nuk u bëhet vonë për sigurinë e popullit. Qeveria është e padobishme. Me aq shumë refugjatë të brendshëm, të cilët derdhen në Kabul nga fshatrat, ka papunësi masive, por natyrisht nuk ka statistika. ‘Tregu i lirë‘ na çoi të gjithëve thuajse në katastrofë. Afganistani është vetëm një fushëbetejë e ideologjisë, opiumit dhe korrupsionit politik. Tani i ke të gjitha këto grupe komerciale, që marrin kontrata nga njerëz si USAID. Së pari, ata shfrytëzojnë 30 deri në 50 për qind për qëllime vetjake, e pastaj kontraktojnë dhe nënkontraktojnë kompani të tjera, nga ku mbetet vetëm 10 për qind i shumës origjinale për afganët".

Afganët, të cilët punojnë për organizata bamirëse dhe për OKB-në, po u thonë punëdhënësve të tyre se po gjenden nën presion të vazhdueshëm që t‘u japin informata talebanëve e t‘i furnizojnë ata me strehime të sigurta. Në fshatra, fermerët jetojnë me frikë nga të dyja palët e luftës. Një zyrtar shumë i lartë i një OJQ-je në Kabul nuk deshi të prononcohej. Ai thotë se edhe talebanët, edhe policia rregullisht i kërcënojnë fshatarët. "Shpesh grupe talebanësh, ndoshta 15 apo 16 veta në grup, ankohen te dera e kryeplakut duke thënë se kanë nevojë për ushqim e strehim. Kështu kryeplaku u thotë fshatarëve që t‘u japin ushqim dhe të strehohen në xhami. Pastaj policia, apo ushtria, arrijnë ditën dhe i akuzojnë fshatarët se po bashkëpunojnë me talebanët, burgosin njerëz të pafajshëm dhe kërcënojnë me ndalimin e ndihmave humanitare. Por më pas vjen edhe rreziku se fshati do të bombardohet nga ajri prej amerikanëve". Në qytetin e Ghazni, talebanët urdhëruan që të gjithë telefonat celularë të ndalen nga ora 17.00 pasdite deri në orën 06.00 të mëngjesit tjetër, për shkak të frikës se spiunët do t‘i përdorin ata për të zbuluar vendndodhjet e guerilëve. Lufta me telefonat celularë mund të jetë një konflikt të cilin qeveria po e fiton. Me ndihmën amerikane, policia e Ministrisë së Brendshme tani mund të gjurmojë thirrjet. Edhe një herë, amerikanët po flasin për formimin e "militantëve fisnorë" që të luftojnë talebanët, ashtu siç bënë në Irak dhe ashtu siç janë përpjekur të bëjnë autoritetet pakistaneze në kufirin veriperëndimor. Por luftëtarët fisnorë të viteve ‘80 u korruptuan nga rusët dhe kur u provua ky sistem së pari, para dy viteve dhe u quajt Forca Ndihmëse Policore, ishte një fiasko. Polici i sapoformuar nuk vinte në punë, vidhte armë dhe shndërrohej në militant privat."Tani, secilën herë që një ambasador i ri perëndimor arrin në Kabul, ata ia nisin sërish", thotë një zyrtar tjetër i OJQ-së, i dëshpëruar. "Oh, ata thonë të bëjmë militantë lokalë, sa ide e mirë. Por kjo nuk do ta zgjidhë problemin, shteti po përballet me dhunime dhe mizori të talebanëve dhe me sulmet ajrore, të cilat janë të llahtarshme për afganët. Komuniteti ndërkombëtar duhet të ndalë pështjellimet dhe të fillojë të mendojë seriozisht, gjë e cila duhej të bëhej para katër apo pesë viteve". Çfarë do të thoshte kjo për perëndimorët, të cilët kanë kaluar me vite të tëra në Kabul, është e thjeshtë. A është me të vërtetë ambicie e afganëve që të kenë "demokraci"? A mund të bëhet një shtet i fortë federal në Afganistan?

A është komuniteti ndërkombëtar i gatshëm të përballet me zotët e luftës dhe me baronët e drogës, të cilët janë përbrenda vetë qeverisë së Karzait? Dhe, më e rëndësishmja nga të gjitha, a ka të bëjë zhvillimi me të vërtetë me Sigurimin e Shtetit? Fjala e urtë dhe e lodhur amerikane se "aty ku përfundon Tarmacu, fillojnë talebanët", është e pavërtetë. Talebanët po montojnë punkte kontrolli në po këto rrugë të njëjta e të sapondërtuara. Ministri afgan i Mbrojtjes ka 65 000 ushtarë nën kontrollin e tij të dyshimtë, por thotë se ka nevojë për 500 000 që të kontrollojë Afganistanin. Sovjetikët dështuan ta mbanin shtetin edhe kur kishin 100 000 ushtarë të tyre dhe 150 000 forca afgane si përkrahje. Vazhdimisht, udhëheqësit perëndimorë po flasin për "çelësin", trajnimin e më shumë afganëve që të luftojnë në ushtri, por ky ishte i njëjti "çelës" të cilin e provuan rusët dhe nuk iu përshtat bravës.

"Ne nuk jemi duke fituar në Afganistan". Fjalët për shtypjen e talebanëve duken aq joreale, ashtu si gjithmonë. Në fakt, kur Presidenti i Afganistanit përpiqet të bisedojë me Mullah Omarin, njërin nga caqet kryesore të Amerikës në këtë luftë të mallkuar. Dhe madje as Mullah Omari nuk deshi të bisedonte me Karzain.

Ndarja është njëra nga opsionet për të cilën askush nuk dëshiron të bisedojë, dhënia e pjesës jugore të Afganistanit talebanëve dhe mbajtja e pjesës tjetër. Por kjo do të hapte edhe një krizë me Pakistanin, për shkak se pashtunët, të cilët përbëjnë shumicën e talebanëve, do të duan tërë atë që ata e shohin si Pashtunistan dhe kjo do të duhej të përfshijë edhe plot territore fisnore të vetë Pakistanit. Gjithashtu do të ishte një kthim në "Lojën e Madhe" dhe në rishkrimin e kufijve në Azinë Jugperëndimore, diçka që tregon historia, gjithmonë ka qenë e shoqëruar me shumë gjakderdhje.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›