E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afganistan, derri i vetëm vendoset në karantinë

Kabul - Derri i vetëm që ekziston në Afganistan është vendosur në karantinë nga frika e infektimit me virusin H1N1. Kafsha, e cila ndodhej në kopshtin zoologjik të Kabulit, nuk do ta shijojë më lirinë e stinës së pranverës.

"Ne e kemi vendosur përkohësisht në karantinë derrin, për shkak të frikës nga virusi H1N1. Pjesa më e madhe e njerëzve nuk kanë shumë informacion sa i përket gripit të derrave, dhe duke e parë derrin, ata mund të tremben duke menduar se janë të kontaminuar. Për të qetësuar vizitorët tanë, ne e kemi vendosur që prej dy ditësh në karantinë, larg syve të tyre", deklaroi drejtori i kopshtit zoologjik, Aziz Gul Saqib.

Asnjë fermë e Afganistanit nuk rrit derra, dhe është e pamundur të shikosh një kafshë të tillë në këtë vend. Kopshti zoologjik i Kabulit ndodhet në kushte shumë të këqija dhe ka shumë pak kafshë, të cilat jetojnë në kushte të mjerueshme.

Derri, së bashku me disa kafshë të tjera, iu dhurua Afganistanit në vitin 2002 nga Kina, që kërkonte të investonte në rindërtimin e kopshtit zoologjik kryesor të kryeqytetit Kabul. Për momentin, në Afganistan nuk është konfirmuar asnjë rast me virusin e gripit të derrave.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›