E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli takime në Velipojë

Shkodër -Kryetarja e Kuvendit. Jozefina Topalli, në kuadër të turit "Shqipëria po ndryshon", u takua të mërkurën me banorë të komunës së Velipojës, bëri të ditur zyra e shtypit e parlamentit. Velipoja, një nga zonat më të njohura turistike në vend, këto katër vite ka njohur ndryshime të jashtëzakonshme në infrastrukturë, rrugë, ujësjellës, sistemin arsimor e shëndetësi.

Mbi 12 milion euro nga buxheti i shtetit janë investuar në infrastrukturë përmes rikonstruksionit të rrugës nacionale Mali Kolaj-Vilu, 4 miliard lekë, rindërtimin e shëtitoreve, ku vetëm në shëtitoren e plazhit janë derdhur 200 milion lekë, akse të tjera ruralë, ndërtimin e shkollave "Gjergj Vat Martini", "Reç i Vjetër" dhe "Mali Kolaj", me vlerë mbi 430 milion lekë, ndërtimin e pesë qendrave shëndetësore, sigurimin e energjisë 24 orë dhe shumë investime të tjera në sektorët publikë.

Në fjalën e saj kryeparlamentarja Topalli tha se investimet e kryera në Shqipëri këto katër vjet, janë shifra të paimagjinueshme, ku vetëm shtesat në pensione dhe rroga arrijnë në 13 miliardë lekë. Vij këtu në Velipojë, tha Kryetarja e Kuvendit dhe shoh që është ndërtuar rrugë e re, urë e re, ujësjellës i ri.

"Kjo është Shqipëria që po ndryshon, kjo është Velipoja që po ndryshon. Kjo është ajo që kishim premtuar dhe fjala që ne po mbajmë", tha znj. Topalli.

"Vetëm në Velipojë, tha ajo, sikurse edhe dje në komunën e Shëngjinit dhe si në çdo komunë tjetër të Shqipërisë, në Veri apo në Jug, në Lindje e Perëndim, ka nga 10-15 herë më shumë investime. Ne kemi qenë rekord në rritjen ekonomike, në rritjen e rrogave e pensioneve, në shpejtësinë e integrimit, në çdo garë ku Shqipëria ka marrë pjesë dhe ju na keni mbështetur".

Kryetarja e Kuvendit, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e reformave për një Shqipëri që po ndryshon, tha se "më 28 Qershor do të jetë një ditë e madhe, sepse shqiptarët do të vazhdojnë në rrugën e integrimit evropian".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›