E Diel, 1 Nëntor 2026

Afganistan, fotoja e marinsit që preku Pentagonin

Fotografia e një marinsi të ri në grahmat e fundit të jetës dhe duke dhënë shpirt në fushën e betejës në Afganistan ka provokuar një reagim të ashpër nga Pentagoni. Vendimi i agjencisë "Associated Press" (AP) për të nxjerrë foton e të riut Joshua Bernard ka qenë një "shkelje e respektit ndaj njeriut". Me këto fjalë është shprehur ministri i Mbrojtjes, Robert Gates, për agjencinë më të madhe të informacionit në Amerikë. Gates i shkroi presidentit të agjencisë, Thomas Curley, pasi u përball me protestën e babait të djaloshit, që humbi jetën nga plagët e marra më 15 gusht në provincën e Helmandit. "Nuk jam armik i medias, por mungesën e dhembshurisë suaj dhe mendimin për të nxjerrë foton e një të riu të plagosur për vdekje në faqet e para të shumë gazetave nuk mund ta pranojmë. Nuk ka ligj apo të drejtë kushtetuese që e pranon. Këtu bëhet fjalë për mirëkuptimin dhe respektin ndaj njeriut". Në imazhin e fotografes së agjencisë AP, Julie Jocobson, ushtari i plagosur dhe në fundin e jetës duket që po ndihmohet nga dy shokë, pasi është qëlluar për vdekje në një pyll në rrethinat e fshatit Dahaneh. Julie tha që e kishte fokusuar foton nga larg, nën presionin e talebanëve, pa e kuptuar se çfarë kishte fotografuar. "Pastaj e pashë, rreth 10 metra larg meje. Një këmbë të hequr nga shpërthimi dhe tjetra e varur në një copë lëkure. Kishte humbur ndjenjat". Për AP vendimi për të nxjerrë një foto të tillë ka qenë shumë i vështirë: "Gazetarët tanë dokumentojnë ngjarje të rëndësishme nga e gjithë bota dhe Afganistani nuk përbën ndonjë përjashtim. Është detyra jonë të tregojmë realitetin e luftës sado i pakëndshëm qoftë ai", ka thënë Santiago Lyon, kreu i shërbimit fotografik. Agjencia priti deri sa të bëhej funerali i ushtarit më 24 gusht para se të nxirrnin këtë foto: ideja ishte t‘i jepnin gazetave të abonuara kohë për të reflektuar mbi mundësinë ose jo për ta publikuar. Disa gazeta refuzuan ta bënin. Imazhet e ushtarëve amerikanë të vrarë ose plagosur rëndë janë shumë të rralla, sepse është e vështirë për një gazetar që të ketë akses në frontin e luftës, kjo sepse edhe rregullat e ashpra të Pentagonit e ndalojnë publikimin e tyre para se të jenë lajmëruar të afërmit e viktimave. Pasi kishin qenë të ndaluara për shumë vjet, administrata "Obama", në prill u hapi dritën jeshile shpërndarjes së fotove të arkivoleve që risillnin në atdhe ushtarët e vrarë në Irak apo Afganistan. Edhe këtu duhej të zbatohej pakti që familjet e të rënëve në krye të detyrës të ishin dakord.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›