E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bota vendos rifillimin e bisedimeve

Ministrat e tregtisë së vendeve të ndryshme nga e gjithë bota, deklaruan dje se do të rifillojnë bisedimet për liberalizimin e mëtejshëm të tregtisë botërore, proces që është bllokuar tashmë prej vitesh. Por, pavarësisht premtimit, disa vende të rëndësishme, si Shtetet e Bashkuara, Brazili etj., nuk kanë ndryshuar qëndrim.

Ministrat u takuan në kryeqytetin e Indisë, Nju Dehli, për të diskutuar mundësinë e rihapjes së procesit të liberalizimit tregtar të njohur si Plani i Punës së Dohas, rreth vitit të ardhshëm.

Kriza ekonomike botërore, sipas analistëve, ka shtuar proteksionizmin në të katër anët e botës dhe delegatët thanë se kjo gjë e bën më të domosdoshëm rifillimin e liberalizimit, megjithëse për shumë prej tyre është e pamundur që të marrin mbështetje në shtëpi për liberalizim në një situatë të tillë.

"Në këtë pikë të lojës, ne të gjithë kemi xhepa të zbrazur, veçanërisht pas krizës aktuale ekonomike", tha ministri i Jashtëm i Brazilit, Celso Amorim. "Shumë prej nesh - dhe nuk shoh ndonjë përjashtim - kanë vështirësi t‘u qëndrojnë angazhimeve për reforma".

Një marrëveshje e diskutuar synon të hapë tregjet e vendeve të pasura për prodhimet bujqësore të pjesës tjetër të botës dhe shkurtimit të subvencionimeve bujqësore në Europë, Amerikën e Veriut dhe Japoni. Në këmbim, vendet më të forta mes atyre në zhvillim, të tilla si India e Brazili, do të ulin tarifat e mallrave industriale. Ideuesit e marrëveshjes thonë se një hap i tillë do të ndihmojë në nxjerrjen e vendeve të varfra nga varfëria ekstreme përmes rritjes së tregtisë botërore.

Bisedimet për liberalizimin e tregtisë u mbyllën me mosmarrëveshje të plotë në korrik 2008, pas gati tetë vitesh diskutimesh intensive. Shumë analistë kritikojnë qëndrimin e Indisë dhe të Shteteve të Bashkuara si fajtorë për dështimin. Tani, nën udhëheqjen e Indisë, po synohet hartimi i një plani pune për katërmbëdhjetë vitet e ardhshme. Analistët mendojnë gjithashtu që administrata "Obama" do ta ketë të vështirë të shesë marrëveshje tregtie të lirë në Kongresin e shqetësuar për reformën shëndetësore e luftën në Afganistan. Gjatë bisedimeve të fundit, duket se palët tashmë nuk janë dakord as për mënyrën se si mund të menaxhohen negociatat. Përfaqësuesi i SHBA-së, Ron Kirk, sugjeroi që të organizoheshin më shumë bisedime dypalëshe, në mënyrë që vendet të sqarojnë më hapur se si kanë ndër mend t‘i zbatojnë marrëveshjet.

Vendet e pasura kritikohen prej dekadash tashmë për pagesat e shumta që u japin fermerëve të vet, gjë që ka sjellë zhvillim të stërmadh bujqësor në këto vende dhe rënie të çmimeve të prodhimeve bujqësore në të gjithë botën, në dëm të vendeve të varfra. Vitin e kaluar, India kërkoi në Organizatën Botërore të Tregtisë leje që të vendosë tarifa për prodhimet bujqësore të importuara, në mbrojtje të ushtrisë së vet me fermerë të vegjël. Kjo kërkesë shkaktoi edhe ndërprerjen e bisedimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›