Mikhail Gorbaçov sulmon Putinin për korrupsionin
Mikhail Gorbaçov ka sulmuar ashpër Kryeministrin e Rusisë, Vladimir Putin, se po "vret" demokracinë në vend dhe po dështon në luftën ndaj korrupsionit. Në një intervistë të dhënë për "The Times" ai kritikoi Putinin në dështimin e Rusisë për të dënuar vrasësit e atyre që dalin hapur kundër politikës së Kremlinit, siç ishte rasti i gazetares Anna Politkovskaya dhe ish-spiunit disident Alexander Litvinenko. Gorbaçov akuzoi gjithashtu Europën dhe Amerikën se kanë dështuar në përpjekjen për të kuptuar Rusinë që kur ajo nisi reformat në Bashkimin Sovjetik rreth çerek shekulli më parë. Ai tha se Perëndimi duket më i interesuar për ta mbajtur Rusinë "nën këmbët e tyre". Gorbaçov foli me fjalë të ngrohta për Margaret Theçer, duke thënë se ajo ishte Kryeministrja më e dashur për të. Ai gjithashtu krahasoi përpjekjet e Presidentit Obama për të ringjallur Amerikën pas krizës financiare me reformat e tij në shoqërinë sovjetike. Sa i përket përzgjedhjes së Putinit si lideri politik më popullor i Rusisë, Gorbaçov tha se ai i ka kritikuar hapur dhe drejtpërdrejtë dështimet e ish-presidentit që tani është Kryeministër. "Kam thënë se sistemi elektoral duhet ndryshuar. Po ashtu kam folur shumë rreth luftës për korrupsionin, por asgjë nuk po bëhet për ta luftuar atë. Kemi parë tragjedi të tmerrshme kur gazetarët janë vrarë dhe shumë prej këtyre krimeve nuk janë zgjidhur ende. E kam thënë se dyshoj se është bërë e pamundura për t‘i zgjidhur ato".