E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dibër, nuk ka nisur ende shpërndarja e teksteve

Dita e parë e shkollës po afron, ndërsa shpërndarja e teksteve shkollore, për nxënësit e Rrethit të Dibrës, mbetet problem. Lajmin e bënë të ditur mësues dhe drejtues shkollash të këtij rrethi. Ndërkohë që MASH deklaroi se shpërndarja e teksteve do të fillonte në fillim të muajit gusht, edhe pse jemi në fillim të shtatorit, ajo nuk ka nisur pothuajse në asnjë nga shkollat e zonave të thella malore. Aktualisht merret vesh se vetëm në qytetin e Peshkopisë dhe shkollat përreth ka nisur shpërndarja e librave, ndërsa për zonat e thella ajo nuk dihet se kur do të fillojë.

"Kemi bërë përzgjedhjen e teksteve dhe në fakt është bërë shpallja e listave për tekstet alternative sipas kërkesave të mësuesve, klasave dhe viteve", tha për gazetën një mësues i shkollës së Maqellarës. Sipas tij, shtëpitë botuese të kontraktuara nuk po tregohen korrekte me shpërndarjen e librave. Duket se shpërndarja e librave shkollorë, për nxënësit e këtij rrethi, nga ana e distributorit të caktuar nga shtëpitë botuese do krijojë mjaft probleme e pengesa në nisjen mbarë të këtij viti shkollor. Merret vesh se DRA-ja po punon për plotësimin e kuadrit mësimdhënës në shkolla, ku për këtë vit pritet një shkurtim i këtij kuadri me rreth 50 mësues më pak se viti i kaluar. Mësues të shkollave të këtij rrethi, edhe pse pa emra konkretë, pohojnë se deri më tani në asnjë shkollë të zonës rurale nuk ka mbërritur lista e plotë me kuadrin përkatës mësimdhënës në shkolla. Kjo ka bërë që mësuesit mësuesit të mbeten të pasigurt për vendin e tyre të punës, edhe pse pak ditë i ndajnë ata nga nisja e mësimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›