E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samiti i G20, masat antikrizë duhet të vazhdojnë

Ministrat e Financave të 20 vendeve të industrializuara të botës kanë rënë dakord që qeveritë të vazhdojnë të ndihmojnë ekonominë me paketat stimuluese, derisa ajo të rimëkëmbet plotësisht. Masat fiskale për përmirësimin e ekonomisë së sëmurë do të vazhdojnë deri kur ekonomia të shërohet në shkallë globale. Kjo ishte përmbajtja e dokumentit final që doli nga mbledhja e ministrave të Financave të 20 vendeve më të industrializuara të botës që po zhvillohet në Londër. Me sa duket marrëveshja do të ndjekë linjën e kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, ndërsa Franca dhe Gjermania kërkonin të uleshin shpenzimet dhe të rikonsolidoheshin financat publike. Samiti i G20, ku marrin pjesë ministrat e Financave dhe shefat e bankave qendrore të këtyre vendeve, u hap me fjalimin e Kryeministrit britanik, Gordon Brown. Në fjalimin e tij, Brown u shpreh qartë mbi vazhdimin e planeve, derisa ekonomia të dalë nga kriza. Ai shtoi më tej se qeveritë e këtyre vendeve janë në gjendje të veprojnë së bashku dhe se vetëm kështu mund t‘u shërbesh interesave kombëtare. "Çdo veprim i nxituar për daljen nga kriza do të ishte vërtet fatal në këtë kohë. Përpjekjet e gabuara në këtë moment, kur kanë nisur të shfaqen shenjat e para të rimëkëmbjes, do të sjellin sërish humbjen e besimit nga kompanitë dhe konsumatorët. Masat antikrizë duhet të vazhdojnë edhe për një kohë të gjatë". Disa nga vendet anëtare, madje edhe vet Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishin nisur të flisnin për një plan daljeje, tani që kanë filluar të shihen shenjat e para të përmirësimit të ekonomisë. Ministrat e G20 kanë rënë dakord edhe për standarde globale për pakësimin e pagesave të bankierëve, por ata nuk arritën marrëveshje në vendosjen e kufijve tavan për këto pagesa. Marrëveshja parashikon një klauzolë të "rikuperimit" të bonuseve në rast të rezultateve negative të bankës ose institucioneve financiare. Krerët e Financave të G20 vendosën se, duke nisur nga 2010-a, për parajsat fiskale do të ketë sanksione të rënda nëse do të refuzojnë të bashkohen me rregullat ndërkombëtare. Debati mbi bonuset e bankierëve do të shërbejë për të dhënë një mesazh të përgjithshëm: nuk është e mundur që bankat të komandojnë mbi qeveritë dhe politikat. Nuk ka kuptim që ato të jenë më të mëdha se vetë qeveritë, sepse kur ato kanë probleme këto bëhen edhe probleme të qeverive. Bankat duhet të jenë në shërbim të njerëzve, jo njerëzit në shërbim të bankave.

"Do të vazhdojmë dhe analizojmë me kujdes masat për mbështetjen e nevojshme financiare, politikat ekspansioniste monetare dhe fiskale në koherencë me stabilitetin e çmimeve dhe qëndrueshmërinë e bilancit, për një periudhë afatgjatë deri kur ekonomia ta ketë marrë veten dhe të jetë në gjendje të ecë e vetme", lexohet në dokumentin përfundimtar. Brown ishte ideatori i samitit të prillit, ku u ra dakord për një plan miliarda dollarësh për të dalë nga kriza ekonomike globale. Liderët e G20 do të mblidhen përsëri në fund të muajit shtator, për të vendosur për vazhdimin e masave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›