E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afganistan, plagoset ushtari shqiptar

HERAT-Plagoset në Afganistan ushtari i Regjimentit të Trupave Komando, pjesë e “Electoral Contigent” të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Besmir Sadikaj nga Tropoja, është transportuar me urgjencë në spitalin spanjoll të Bazës së Heratit, nga baza e Shinad, rreth orës 14:00 (me orën lokale në Tiranë). Lajmi konfirmohet nga burime të sigurta të Gazetës pranë familjarëve të kontingjentit të ushtarëve shqiptarë në Afganistan. Të njëjtat burime shprehen se i plagosuri mbahet i izoluar dhe të paktën deri në orën 21:00 të mbrëmjes nuk ishte lejuar asnjë pjesëtar nga kontingjenti shqiptar që ndodhet në bazën e Heratit, ku është spitali që ta vizitojnë. Sadikaj ka plagë me armë zjarri në dorë dhe mësohet se ndodhet plotësisht jashtë rrezikut për jetën. Familjarët e ushtarëve shqiptarë që ndodhen në Herat janë shprehur se në bisedat që kanë pasur me ta, kanë mësuar se askush nuk u ka bërë të ditur nëse është një ngjarje aksidentale apo ushtari shqiptar i plagosur është sulmuar nga talebanët. Sipas Gazetes, ngjarja ka sjellë një farë pakënaqësie tek kontingjenti i ushtarëve shqiptarë në Afganistan, pasi transferimi i një kontingjenti prej 36 ushtarësh dhe oficerësh të tyre të Regjimentit të Trupave Komando është kryer në datën 8 dhjetor për në bazën e Shinadit. Transferimi ka qenë jashtë “axhendës” që kishin këto trupa kur janë nisur nga Shqipëria dhe kanë mbërritur në bazën e Heratit në 12 gusht të këtij viti. Ushtarët shqiptarë i përkasin kontingjentit shtesë të dërguar për shkak të zgjedhjeve elektorale në Afganistan. Kontingjenti shqiptar vepron nën komandën e trupave italiane në Herat. Baza e Shinadit, ku ndodhen kryesisht trupa afgane dhe një kontingjent i pakët drejtues i trupave italiane, konsiderohet si një nga më problematiket në Afganistan. Kjo për shkak të sulmeve të shpeshta që ndodhin gati çdo ditë në atë bazë. Shqetësimi i kontingjentit shqiptar për transferimin e pamotivuar sipas tyre në bazën problematike të Shinadit, mësohet se i është bërë i ditur shefit të Shtabit të Ushtrisë, Gjeneral Brigade, Maksim Malaj gjatë vizitës që ai bëri pranë forcave shqiptare në Afganistan. Malaj ka pasur takime me oficerët italianë të bazës së Heratit, të cilët urdhëruan transferimit e kontingjentit prej 36 ushtarësh shqiptarë në Shinad. Sipas të njëjtit burim, komandantët italianë i kanë shpjeguar gjeneral Malajt se përzgjedhja e ushtarëve shqiptarë u krye për shkak të cilësive të mira ushtarake që ata kishin. Nuk dihet nëse komandot italiane janë në dijeni se 36 ushtarakët shqiptarë do të rrezikojnë jetën në një bazë që konsiderohet me risk të lartë, për një pagesë 4 herë më të ulët se ushtarët italianë. Starova: U plagos pa dashje në vendroje I pyetur për plagosjen e ushtarit shqiptar në Afganistan, zëvendësministri i Mbrojtjes, Arian Starova sqaroi mbrëmë se “ngjarja ka ndodhur 3-4 orë përpara (rreth orës 15.00-16.00 me orën shqiptare) në rajonin Shinad të Afganistanit. Nuk është incident i rëndë. Ushtari quhet Besmir Sadikaj. është bërë një vetëplagosje gjatë ndërrimit të shërbimit të rojeve, një plagosje në dorë padashje e vetë ushtarit. Por, ai është jashtë rrezikut për jetën dhe gjendet nën kujdesin mjekësor në Herat” (d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›