E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të ardhurat buxhetore, më pak se në 2008

TIRANE-Shifrat e realizimit të detyrimeve buxhetore janë, jo vetëm më të ulëta se ato të parashikuara në ligjin për Buxhetin e Shtetit për vitin 2009. Gazeta Shqiptare beri te ditur se nga janari deri në fund të nëntorit të këtij viti, ato janë më të ulëta edhe sesa detyrat e Buxhetit për vitin 2008, lidhur me të ardhurat në arkën e shtetit shqiptar. Sipas statistikave të Ministrisë së Financave, rezulton se, ndërkohë që për 11-mujorin 2008 ishin parashikuar 272.2 miliardë lekë të ardhura buxhetore në total, gjatë 11 muajve të këtij viti shifra është më e ulët: 268.2 miliardë. Pas publikimit të këtyre shifrave, vështirë se dikush mund të pretendojë ende se vendi nuk ka kaluar krizë ekonomike. Në të kundërt, duhej të pranonte se organet financiare të qeverisë nuk kanë punuar siç duhet dhe kanë lejuar evazion fiskal, ose planifikimi buxhetor ishte i fryrë. Në të ardhurat tatimore, shifra për vitin në vazhdim është afro 1 miliardë lekë më e ulët se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, nga Tatimet e Doganat bashkë, të ardhurat janë më të larta se vjet. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe Tatimi mbi të Ardhurat Personale rezultojnë, gjithashtu me rritje krahasuar me një vit më parë. Këto janë të vetmet taksa që dalin me shifra pak më të larta se vjet. Por, me akcizat ka një nivel më se 3 miliardë lekë më të ulët se një vit më parë, ndërsa tatimfitimi për ndërmarrjet është gjithashtu 1 miliard lekë më i ulët. Edhe taksat nacionale janë në nivel më të ulët, ashtu si edhe taksat doganore, por këto të fundit kanë si tendencë uljen graduale. Në të ardhurat buxhetore të pavarura, sërish shënohet një nivel më i ulët se vjet, ku bie në sy një rënie e të ardhurave për sigurimet shoqërore, ndërkohë që janë në rritje ato për sigurimet shëndetësore. Ndërkohë, transferimi i fitimit nga Banka e Shqipërisë ka kaluar nga 4.3 miliardë lekë, në 3.8 miliardë lekë sivjet. Institucionet buxhetore kanë shënuar të ardhura pothuajse të përgjysmuara, krahasuar me periudhën janar-nëntor 2008 dhe, në përgjithësi, të ardhurat jotatimore janë 2 miliardë lekë më të ulëta se një vit më parë. Nga ana e vet, buxhetet vendore janë 2 miliardë lekë më të ulëta, me një rënie të theksuar të taksës mbi pasuritë (ndërtesat).(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›