Tepelenë,Kryekëshilltari Bashkiak kapet me drogë
KAKAVIJE - Kapet me drogë kreu i Këshillit Bashkiak të Tepelenës. Gjithçka është zbuluar falë operacionit të koduar "Pritja", ndërmarrë nga Sektori i Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër ku u finalizua me kapjen e 50 kg hashash të presuar si dhe arrestimin e poseduesit të saj. Biznesmeni 50-vjeçar, Petrit Abedini është transportuesi i marijuanës e cila kishte për destinacion tregun grek duke kaluar nga Kakavija. Arrestimi i biznesmenit nga Tepelena i cili është njëkohësisht kryetar i Këshillit Bashkiak dhe kreu i PSV'91 të Tepelenës, është kryer në orën 15:00 të së martës sapo iu gjet në maunen që ai drejtonte, lënda e mësipërme narkotike. Maunia e tipit MAN me targë TP 2798 B dhe me targa të trajlerit TP 2808 B, rezultonte të ishte e rregullt në dokumentacion dhe pronar i saj ishte vetë transportuesi i mallit narkotik Petrit Abedini. Itinerari i maunes dihej nga forcat e Policisë së Gjirokastrës si dhe ngarkesa boshe e saj. Prej Mallakastrës ku ishte marrë maunia dhe deri në Kakavije, uniformat blu e vëzhgonin në një largësi distance prej 3 km me automjete jo policore. Vetë maunia qëndroi për një orë në Tepelenë ku në trajler ngarkoi një kontejner bosh me qëllim që të justifikonte destinacionin drejt Greqisë për të marrë prej andej, artikuj ushqimorë të cilat tregtohen nga vetë biznesmeni Abedini. Mendohet se mallin narkotik me 35 pako marijuanë të mbështjella me letër ngjitëse rozë, ai e kishte siguruar në zonën e lumit Seman në Fier por kjo sasi sipas burimeve tepër konfidenciale, qëndronte e "magazinuar" prej disa javësh poshtë dyshemesë së trajlerit në pritje për të gjetur momentin të "shtegtonte" drejt Athinës. p.n