E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festa e Birrës, më e madhja në Korçë

 

KORÇE - "Festa e Birrës e organizuar në Korçë këtë vit ka qenë festa më popullore dhe më e suksesshme në shkallë vendi". Kështu deklaroi dje në një konferencë për shtyp kryebashkiaku Niko Peleshi. Sipas tij, këtë e tregoi jo vetëm numri i pjesëmarrësve nga Korça, vendi si dhe turistët e huaj, por edhe larmia e veprimtarive dhe kohëzgjatja e festës. "Festa stimuloi bizneset, për ta kthyer Korçën në një vend shumë të vizituar. Ne s'kemi bregdet, por me këtë dhe shumë festa të tjera, kemi treguar se qyteti jonë ka resurse të shumta që mund të tërheqin turistët. Festa e Birrës tregoi se ne mund të kënaqemi vetë, por edhe miqtë tanë. Të gjitha pijet dhe mezetë që u afruan ishin promovim i prodhimeve të biznesit", u shpreh Peleshi. Festa e Birrës bllokoi hotelet dhe motelet e qytetit. Për gati një javë në to nuk gjeje vend të lirë. Shumë nga miqtë e ardhur që larg ishin akomoduar edhe tek të afërmit e tyre. Disa herë nga drejtuesja e koncertit iu kërkua që të ngrinin dorën pjesëmarrësit që ishin miq në Korçë dhe duart e tyre ishin me mijëra. "Për Bashkinë, Festa e Birrës nuk ishte e kushtueshme. Ajo financoi vetëm 600 mijë lekë, të tjerat u përballuan nga sponsorët. Pjesëmarrësit u shprehën se festa iu krijoi kënaqësi, ajo stimuloi prodhimin vendas të 'Birra Korça' dhe prodhimet e sallamerive të ndryshme", vijoi kryebashkiaku. j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›