Parma e Livorno “luftë” për Çanin
Është folur shumë për të gjatë këtij muaji. Fakti që Palermo ka në dispozicion 5 sulmues i ka detyruar drejtuesit e klubit që talentin shqiptar Edgar Çanin ta japin në formë huazimi. E teksa mungonte vetëm firma në kontratë për të kaluar te Empoli vjen surpriza e radhës. Janë dy skuadra të Serisë A që kërkojnë me ngulm të marrin të paktën për një sezon shërbimet e futbollistit shqiptar. Parma dhe Livorno kanë bërë ofertat e tyre pranë klubit të Palermos dhe tashmë pritet që rozanerët të shprehen lidhur me transferimin e futbollistit. Pengesa e vetme, sipas mediave italiane qëndron në faktin sesi Parma dhe Livorno kanë kërkuar një transferim me kusht të talentit shqiptar; një vit në huazim dhe me të drejtë blerje të kartonit tij. Kjo gjë nuk i ka shkuar për shtat Palermos, drejtuesit e të cilit nuk duan asesi të shesin kartonin e futbollistit shqiptar. Çani u ble një vit e gjysëm më parë nga skuadra e Peskarës në C1 dhe sezonin fundit luajti si i huazuar te Askoli në Serie B.