E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afganistan, shpërthim kamikaz pranë selisë së NATO-s

Gazeta Shqip

Gjashtë civilë humbin jetën. Në shënjestër një ndërtesë e CIA-s

Të paktën gjashtë persona humbën jetën dhe pesë të tjerë u plagosën pas një shpërthimi kamikaz, pranë selisë e NATO-s, në kryeqytetin e Afganistanit. Mes viktimave ka fëmijë.
Kamikazi i hipur në një motoçikletë hodhi veten në erë, pranë hyrjes së selisë së NATO-s, por fatmirësisht nuk flitet për  viktima në radhën e ushtarëve të misionit ndërkombëtar të ISAF. Një zyrtar i policisë, pranoi se shumica e viktimave ishin fëmijë, që e kalonin ditën pranë ndërtesës së ISAF, duke u shitur objekte ushtarëve të misionit ndërkombëtar. Edhe vetë mosha e atentatorit mendohet se nuk i kalon të 14 vjetët. “Rebelët përdorën një fëmijë për të realizuar qëllimin e tyre. Duke i detyruar minoret të kryejnë të tilla veprime, talebanët tregojnë edhe njëherë anën e tyre të pamëshirshme, tha zëdhënësi i ISAF-it, gjenerali Guenter Katz. Vendi ku ndodhi shpërthimi është shumë pranë ambasadës amerikane, asaj italiane dhe pallatit presidencial. Sulmi që u mor përsipër nga talebanët mendohet se kishte në shënjestër një ndërtesë të shërbimeve sekrete amerikane.
Atentatori drejtonte një motoçikletë të ngarkuar me eksploziv, hodhi veten në erë përpara hyrjes së Eggers Camp, tha një zëdhënës i NATO-s duke iu referuar një baze ku qëndrojnë më shumë se 2500 forca të koalicionit sipas zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme afgane, atentatori mund të jetë nxitur nga rrjeti Haqqani, një grup i frikshëm talebanësh që në SHBA sapo kanë vendosur ta fusin në listën e organizatave terroriste. Ky atentat  është më i dhunshmi në serinë e një sërë sulmesh të tjera që përgjakën ditën përkujtimore në ditën e vdekjes së Ahmad Shah Masudit, i njohur ndryshe si “Luani i Panshirit”, heroi i luftës kundër Bashkimit Sovjetik në vitin 1980 dhe më pas kundërshtar i talebanëve. Ai u vra 11 vjet më parë më 9 shtator të vitit 2001. Shumë personalitete do të mbërrinin në Kabul për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore për nder të Masudit, një festë kombëtare në Afganistan. Në fakt, dy shpërthime të tjera ndodhën në jug të vendit. Në Tirin Kot, kryeqyteti i provincës së Uruzgan, disa vetë humbën jetën nga shpërdhimi i një bombe në afërsi të banesës ku jetonin. Po ashtu, një tjetër bombë shpërtheu në një rrugë në distriktin Nahri Sarraj, në provincën e  Helmand, duke vrarë dy gra dhe plagosur dy persona të tjerë. Ofensiva e re ndodhi pasi u konfirmua se tërheqja e trupave të huaja në jug të vendit, vazhdon me ritëm të plotë, me 77 mijë ushtarë amerikanë e 40 mijë të vendeve të tjera që janë larguar nga Afganistani.

Sulmi

Kamikazi i hipur në një motoçikletë hodhi veten në erë, pranë hyrjes së selisë së NATO-s, por fatmirësisht nuk flitet për  viktima në radhën e ushtarëve të misionit ndërkombëtar të ISAF

Viktimat

Shumica e viktimave ishin fëmijë, që e kalonin ditën pranë ndërtesës së ISAF, duke u shitur objekte ushtarëve. Edhe vetë mosha e atentatorit mendohet se nuk i kalon të 14 vjetët

Afganistan, shpërthim kamikaz pranë selisë së NATO-s burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›