Nis viti i ri shkollor, ministri i Arsimit përshëndet nxënësit dhe mësuesit
Ditën e hënë nis vitin e ri shkollor 2012-2013 dhe në bankat e shkollës në sistemin parauniversitar, duke përfshirë dhe sistemin parashkollor do jenë 579 mijë nxënës. Me këtë rast, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj ka uruar të gjithë nxënësit dhe mësuesit për fillimin e vitit të ri shkollor.
Urimi i parë si gjithnjë shkon për ju vogëlushë, ju nxënës që uleni për herë të parë në bankat e shkollës, për ju që përcilleni nga dora e prindit dhe shtrëngoni dorën e mësuesit, për të nisur rrugën e gjatë, por të bukur të dijes, ju keni sot në duar abetaren mbarëkombëtare. Një urim për të gjithë ju nxënësit e klasave të tjera që në këtë ditë e ndjeni veten më të rritur e më të ditur dhe që jeni fort të motivuar për tu bërë më të aftë për veten familjen dhe shoqërinë. Një urim edhe për ju mësues dhe mësuese që meritoni mirënjohje dhe nderim, – deklaroi ministri i Arsimit.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, 36 mijë nxënës ulen për herë të parë në bankat e shkollës, ndërsa 75 mijë fëmijë u drejtohen kopshteve. Ndërkohë, numërohen 358 mijë nxënës që ndjekin shkollat 9-vjeçare dhe 146 mijë nxënës që ndjekin arsimin e mesëm, ndërsa 21 mijë nxënës i janë drejtuar arsimit profesional.
9 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)
Nis viti i ri shkollor, ministri i Arsimit përshëndet nxënësit dhe mësuesit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip