E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kosovë, raport për shpenzimet në 6-mujorin e parë të 2009-ës

Raporti gjashtëmujor i shpenzimeve të institucioneve të Kosovës tregon se gjatë kësaj periudhe qeveria ka shpenzuar mbi 397 milionë euro. Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave këtë shifër të shpenzimeve e arsyetojnë me ngritjen e kapaciteteve qeverisëse dhe me rritjen e pagave për një numër të punonjësve civilë.
Zëvendësministri i Ekonomisë dhe i Financave, Bedri Hamza thotë se në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është shënuar rritje në të ardhurat buxhetore.
Sipas këtij raporti të buxhetit në gjashtë mujorin e parë të vitit 2009, vetëm për dreka zyrtare janë shpenzuar mbi gjysëm milioni euro. Ndër ministritë, më shumë për dreka zyrtare shpenzoi ministria e Punëve të Brendshme - mbi 45 mijë euro. Pason Ministria e Ambientit me mbi 40 mijë euro, ndërsa më pak për dreka zyrtare ka shpenzuar Ministria e Bujqësisë, e cila në këtë gjashtëmujor ka harxhuar vetëm mbi 4 mijë e 700 euro.
Këto shifra dhe rritja e shpenzimeve telefonike rreth 25 për qind kanë ngjallur reagimin e opozitës. Edhe pse kryeministri Thaçi kishte paralajmëruar ulje të shpenzimeve, zv/kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi thotë se ky raport dëshmon se qeveria gjatë kësaj periudhe ka rritur kapacitet e saj.
Përfaqësues të opozitës, të cilët edhe me parë kishin akuzuar qeverinë se po e keqpërdor dhe po e dëmton buxhetin e Kosovës, vlerësojnë se zotimet e qeverisë për uljen e shpenzimeve janë thjesht deklarata që synojnë të manipulojnë opinionin publik. Sipas raportit gjashtëmujor të ministrisë së Ekonomisë dhe Financave rritje të konsiderueshme në raport me vitin e kaluar kanë shpenzimet kapitale për 35 për qind .
Raporti dëshmon se pagat mujore me kohë të plotë gjatë kësaj periudhe janë rritur me 17 për qind. Rritje ka pasur edhe përsa u përket shpenzimeve në mallra dhe shërbime. Në gjashtë muaj janë shpenzuar 55.181 milionë euro, ose 11 për qind më shumë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›