E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrave, 230 mijë të infektuar në gjithë botën

Virusi i gripit të derrave, i përhapur tashmë në të gjithë botën, ka provokuar në mbarë globin deri tani rreth 230 mijë persona të infektuar. Sipas të dhënave të Qendres Europiane për Kontrollin e Sëmundjeve, vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 1.600 raste të reja, çka do të thote se virusi e ka shtuar ritmin e përhapjes. Ndërkaq po sipas këtij burimi, të dhëna të frikshme jepen përsa i përket të vdekurve, bilanci i të cilëve llogaritet të ketë arritur në rreth 2.000 që nga përhapja e virusit në Meksikë, rreth dy muaj më parë. Rastet e konfirmuara në Europë janë 38 mijë, ku 346 janë spikatur në 24 orët e fundit. Vendi më i prekur në BE është Britania e Madhe me 12.903 raste, e ndjekur nga Gjermania me 11.493 dhe Holanda me 1.473. ndërkaq zyrtarët e shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara kanë dy muaj afat për të përcaktuar në se vaksinat e gripit H1N1, prodhim i dy firmave të ndryshme farmaceutike, janë të sigurta dhe të efektshme për përdorim publik. Qëllimi i provave është të sigurohet një vaksinë për përdorim publik përpara muajit tetor, që është fillimi i sezonit të gripit. Nga Azia e deri në Evropë apo në Amerikën Veriore, gripi i derrave është përhapur kudo në botë me një shpejtësi alarmuese.Mjekët po testojnë sigurinë, efektet anësore dhe efikasitetin e vaksinës. Ata do ta testojnë vaksinën te vullnetarë të moshave të ndryshme për të përcaktuar se cila dozë vepron më mirë te secila grupmoshë. Në kuadër të aktiviteteve dhe përgatitjeve në nivelin global për përballimin e pandemisë së Gripit të ri A H1N1, delegacione nga Kosova, do të jenë pjesëmarrëse në takime e konferenca të ndryshme ndërkombëtare, në të cilat do të diskutohen modalitetet e ballafaqimit me pandeminë në sezonin e vjeshtës dhe më tej, kur parashikohet që mund të ketë fluks të ri më të madh të rasteve të gripit.
Ndërkohë, situata epidemiologjike rreth gripit A H1N1 në Kosovë, sipas komunikatës së Ministrisë së Shëndetësisë, aktualisht është reflektuar e qetë dhe sikur është njoftuar edhe ditëve të kaluara, që prej 15 korrikut 2009, në Kosovë ka pasur të regjistruara gjithsej 10 raste të dyshimta të gripit A H1N1, prej të cilave: 6 kanë qenë të konfirmuara pozitive, 3 klinikisht negative dhe 1 laborator negative.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›