NATO-ja do të forcojë bashkëpunimin me Gjeorgjinë
NATO-ja do ta forcojë bashkëpunimin e saj me Gjeorgjinë. Ministrat e Jashtëm të 26 vendeve anëtare të NATO-s ranë dakord për ngritjen e një komisioni të përhershëm NATO-Gjeorgji. Një komision i ngjashëm ka ekzistuar deri tani vetëm me Rusinë. Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s thanë se "nuk mund të vazhdojnë marrëdhëniet e zakonshme me Rusinë" derisa trupat ruse të tërhiqen nga Gjeorgjia. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap De Hoop Scheffer, tha gjatë një konference për shtyp se Rusia aktualisht nuk po respekton armëpushimin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian dhe të pranuar nga presidenti Dimitri Medvedev. 26 vendet anëtare, përmes një deklarate të përbashkët, thanë se po i vlerësonin seriozisht pasojat e veprimeve ruse në Gjeorgji. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank Valter Shtajnmajer, i kërkoi edhe njëherë Rusisë të tërheqë të gjitha trupat nga brendësia e territorit gjeorgjian. Çështja që shtrohet është që situata shumë e paqëndrueshme në Gjeorgji të shndërrohet në një armëpushim të vazhdueshëm, - tha Shtajnmajeri. Njëkohësisht ai paralajmëroi për rrezikun e shkëputjes së fillit të bisedimeve me Moskën. Gjermania e dyfishoi në 2 milionë euro ndihmën financiare për furnizimin e rreth 160 mijë refugjatëve në Kaukaz. Sipas të dhënave të të dërguarit të Rusisë pranë NATO-s, Dmitri Rogosin, trupat ruse tani po tërhiqen gradualisht. Korrespondentët raportojnë nga rajoni se tanke dhe automjete të blinduara po tërhiqen nga qyteti me rëndësi strategjike, Gori.
20 Gusht 2008