Afganistan, zgjedhjet në rrezik
Edhe pse mungojnë më pak se shtatë ditë nga zgjedhjet e raundit të dytë, negociatat mes Presidentit aktual, Hamid Karzai, dhe rivalit të tij për zgjedhjet presidenciale, Abdullah Abdullah, janë ndërprerë. Sipas burimeve diplomatike perëndimore në Kabul që citon nga CNN, ish-ministri i Punëve të Jashtme mund të heqë dorë nga balotazhi i 7 nëntorit nëse nuk plotësohen disa kushte. Gjatë ditëve të fundit, dy kandidatët presidencialë të shoqëruar nga delegacionet përkatëse kanë zhvilluar bisedime intensive dhe Abdullah ka vendosur kushtet e tij për të siguruar kredibilitetin e votës së 7 nëntorit. Pas mashtrimeve të vëna në dukje në zgjedhjet e gushtit nga vëzhgues të pavarur, Abdullah i ka kërkuar Karzait të heqë kreun e komisionit elektoral afgan dhe të pushojë tre ministra që kishin bërë fushatë për të. Mes të tjerave Abdullah kishte propozuar një marrëveshje për ndarjen e pushteteve pa u dashur të shkojnë te balotazhi, por Karzai duket i vendosur të vazhdojë me votimet. Kështu ka shumë gjasa që ish-ministri i Jashtëm të jetë i gatshëm të deklarojë bojkotin e raundit të dytë nëse nuk i garantohen kushtet e kërkuara mes të cilave edhe zhvillimi normal i zgjedhjeve të javës tjetër. "Nëse kushtet nuk do të përmbushen, Abdullah do të deklarojë vendimin e marrë në një konferencë për shtyp të planifikuar për sot", ka deklaruar një nga anëtarët e stafit të ish-ministrit të Jashtëm. "Nuk do të marrim pjesë në zgjedhje nëse nuk do të jenë transparente dhe pa falsifikime", shtoi më tej ai. Një zëdhënës i komisionit elektoral afgan ka saktësuar se një vendim i tillë nga ana e Abdullah do të ishte i vonuar dhe si i tillë nuk do të ndalte procesin elektoral. Mbi këtë aspekt ka ndërhyrë edhe sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, duke nënvizuar se balotazhi "do të jetë i ligjshëm edhe në rast të bojkotit nga ana e sfiduesit Abdullah. Nuk besoj se ka të bëjë me legjitimitetin e zgjedhjeve. Është një zgjedhje personale që mund të bëhet ose jo. Ngjarje të tilla nuk janë të paprecedente. Ato kanë ndodhur edhe në Amerikë", ka deklaruar kreu i diplomacisë amerikane. Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në gusht u karakterizua nga dhuna dhe manipulimi në favor të Karzait, përveçse nga një pjesëmarrje e ulët (38,7%). Dështimi i një raundi të dytë elektoral do ta çonte vendin në një kaos institucional akoma më të thellë se ai aktual. Sayed Aqa Fazil Sancharaki, zëdhënësi i Abdullah, ka konfirmuar se ish-ministri i Jashtëm sot do të japë përgjigje përfundimtare: "Derisa të mbarojë koha e marrëveshjes me Karzain nuk do të merret asnjë vendim. Ne do të konsultohemi me aleatët dhe këshilltarët tanë. Për momentin nuk mund të them asgjë më shumë, por mundësia e një bojkoti të mundshëm ekziston". Nga ana tjetër, komisioni elektoral ka nënvizuar se balotazhi është pjesë e procesit elektoral dhe se të dy kandidatët duhet të marrin pjesë. Zgjedhjet e balotazhit u caktuan pasi mijëra vota të votimit të 20 gushtit, të manipuluara në favor të Karzait, u shpallën të pavlefshme. Në këtë mënyrë, rezultati i Presidentit aktual ra nën kufirin e nevojshëm për fitoren, 50%. Edhe një grup vëzhguesish të OKB-së, zbuluan parregullsi në shkallë të gjerë në votimet e 20 gushtit në Afganistan. Sipas mediave ndërkombëtare, Abdullah mund të njoftojë zyrtarisht bojkotin, duke shënuar kështu tërheqjen strategjike. Sipas burimeve perëndimore pranë lidershipit afgan, të cituara nga CNN, bisedimet mes Karzait dhe Abdullah, të cilët kishin folur për mundësinë e krijimit të një qeverie kombëtare, kanë dështuar dhe Abudallah do të njoftojë bojkotin. Ndërkaq, nga Uashingtoni ka ardhur edhe lajmi se Presidenti amerikan kërkon të nisë në Afganistan më pak trupa. Lajmi konfirmohet "Washington Post" (WP) që citon dy funksionarë të lartë të administratës "Obama". Një prej opsioneve, sipas WP është që Obama të nisë në Afganistan një numër më të ulët se 40 mijë, kërkuar nga gjenerali i lartë amerikan Stanley Mcchrystal.
Në mbledhjen e fundit të zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë u vendos që pas 20 nëntorit të vihet në plan një strategji e re. Sipas funksionarëve të cituar nga "Washington Post", që kanë kërkuar anonimitetin, Presidenti Obama duket se ka ndërmend të dërgojë jo më shumë se 10-15 mijë ushtarë.
Në mbledhjen e fundit të zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë u vendos që pas 20 nëntorit të vihet në plan një strategji e re. Sipas funksionarëve të cituar nga "Washington Post", që kanë kërkuar anonimitetin, Presidenti Obama duket se ka ndërmend të dërgojë jo më shumë se 10-15 mijë ushtarë.