E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Monitorim koncesioneve të kromit

Kontrata koncesionare mes shtetit dhe ACR-së (Albania Chrome) do të jenë objekt monitorimi i vazhdueshëm nga ana e Ministrisë së Ekonomisë dhe Tregtisë. Kreu i METE-s, Dritan Prifti, pak ditë më parë deklaroi prishjen e kontratës së koncesionit me austriakët në industrinë e kromit, ndërsa dje në një konferencë për shtyp shtoi se, të gjitha procedurat do të jenë transparente dhe se ai është konsultuar vazhdimisht me sindikatën dhe punëtorët e kësaj industrie. "Nuk ka thënë askush që do të hiqet koncesioni që ka kompania ACR. Në Elbasan duket që gjërat po ecin normalisht, ndërsa në Burrel dhe Bulqizë gjërat po shkojnë keq. Sipas marrëveshjes së koncesionit janë 120 milionë dollarë që duhen investuar në Burrel dhe Bulqizë, ndërkohë që nuk janë investuar as 10", tha Prifti. Një ditë më parë, Ministria e Ekonomisë zhvilloi një takim me minatorët ku mësoi nga afër kushtet e punës dhe trajtimin financiar të punonjësve nga kompanitë private. Deklarata e ministrit Prifti ishte një mesazh i qartë për të gjitha kompanitë koncesionare, të cilave në rast se nuk respektojnë kontratën, u hiqet e drejta e licencës.

Mbikëqyrja

Paralajmërimi i Ministrisë së Ekonomisë për heqje të licencës të shoqërisë austriake ACR, e cila shfrytëzon disa miniera në Bulqizë dhe Burrel, shkaktoi reagime negative të minatorëve. Të ndarë në dy grupe, pro dhe kundra, një palë sindikatash u ankuan te ministria për punën e dobët të bërë nga ACR-ja, kurse të tjera sindikata protestuan vendimin për heqjen e licencës, nga frika se mos ngeleshin pa punë. Situata u bë e turbullt dhe ministrit Prifti iu desh të mbante një qëndrim ekuilibrues. "Pas takimit me zv.kryeministrin kinez, Zhang, bisedova me minatorët dhe i sqarova me detaje në lidhje me procesin e kontrollit dhe heqjes së licencës për koncesionet minerare që nuk zbatojnë kontratat dhe detyrimet ndaj shtetit. Ramë dakord me minatorët se çdo gjë do të bëhet me transparencë, me këshillim dhe në favor të tyre", sqaroi ministri. Sipas tij, zbatimi i ligjit për koncesionarët që nuk respektojnë detyrimet nuk do të sjellë asnjë largim nga puna të minatorëve. "Përkundrazi, synon të rrisë punësimin, kushtet e sigurisë dhe të ardhurat e minatorëve, të cilët për hir të së vërtetës shfrytëzohen barbarisht nga disa subjekte", theksoi kreu i METE-s. Në takim mësohet se minatorët e kanë informuar ministrin se vetëm në pak vite të fundit kanë vdekur mbi 18 minatorë vetëm në minierën e Bulqizës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›