E Diel, 1 Nëntor 2026

Afganistani nuk është Vietnam

Autori i Lajmit: Nga Michael L. GalatyNë kundërshtim me krahasimet e përhapura së fundmi, Afganistani nuk është Vietnam, por i ngjan shumë Shqipërisë. Rreth 70 vjet më parë, Shqipëria, një vend i vogël malor në Ballkan, popullohej ende nga luftëtarët e shumtë “fanatikë” të fiseve. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Gjermania e pushtoi këtë vend. Duke i dhënë rëndësi strategjike rajonit të Ballkanit, aleatët, të drejtuar nga britanikët, dërguan në mënyrë sekrete agjentë për tu përpjekur që të organizonin një rezistencë vendase. Këta agjentë të aleatëve ishin të paaftë për të menduar si luftëtarët e fiseve dhe kjo është arsyeja përse ata dështuan. Nëse presidenti Obama mëson nga gabimet e Britanisë më 1943 në Shqipëri dhe plotëson kushtet e luftëtarëve afganë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund ta përfundojnë luftën dhe të fitojnë paqen në Afganistan, me nder. Kultura fisnore shqiptare ishte dhe është ende, e mbështetur tek lidhja familjare. Besnikëria pasqyrohej para së gjithash tek familja dhe fiset. Në vitin 1943, shteti i Shqipërisë ishte pothuajse 30 vjeç dhe anëtarët e fiseve ndjenin shumë pak ose aspak besnikëri ndaj shtetit, për të cilin besonin se ishte i korruptuar. Çështë më kryesorja, kultura fisnore shqiptare ishte një kulturë armiqësore. Disa fise ishin miqësore, ndërsa disa të tjera ishin armike të betuara. Kjo krijoi një rrjet gjithmonë të ndryshueshëm dhe pothuajse të pakuptueshëm koalicionesh fisnore dhe fraksionesh, shumë të ngjashme me ato në Afganistan. Ashtu siç përmendi një oficer i aleatëve, “Të shpenzoje orë të tëra për të bërë një shqiptar që të kuptonte pikëpamjen britanike ishte humbje kohe. E vetmja metodë e mundshme është të bindësh atë se një pjesë projekti e pëlqyer nga ty, pëlqehej dhe nga ai gjithashtu”. Në përfundim, shqiptarët nuk u bindën. Dhe kostot ishin të larta. Të paktën 14 agjentë të aleatëve dhe një numër i pallogaritur shqiptarësh mbetën të vrarë, ndërsa shumë pajisje humbën. Andej nga viti 1944, gjermanët u larguan, duke e lënë Shqipërinë në duart e diktatorit të pamëshirshëm komunist, Enver Hoxhës.

Nuk duhet të përfundojnë si Afganistani

Ajo çka ishte e vërtetë për pjesëtarët e fiseve shqiptare në vitin 1943, është e vërtetë edhe për pjesëtarët e fiseve në Afganistan në 2010-ën. Ata do të veprojnë fillimisht në interes të tyre dhe në atë të familjes dhe fisit. Besnikëria e tyre parësore nuk është për një qeveri apo ideologji. Me sa duket, zoti Obama dhe komandantët e tij ushtarakë e kuptojnë këtë. Por leksionet e dështimeve të aleatëve në Shqipëri shkojnë akoma më thellë. Mësimi i parë: Shqiptarët tradicionalë mbështeten tek një sistem i vjetër ligjesh shekullore, i njohur si Kanuni i Lekë Dukagjinit, i cili bazohet tek koncepti i nderit. Ekuivalenti afgan i këtij kodi është “nang”-u. Një luftëtar shqiptar do të preferonte të vdiste sesa të çnderonte atë dhe familjen e tij, dhe luftëtarët afganë nuk është se vijnë më pas në këtë aspekt. Kjo i bëri gjërat shumë të vështira për agjentët britanikë, të cilët nuk mund ti bindnin shqiptarët që të ishin të pabesë, - p.sh. të tradhtonin familjen, shokët, të cilët punonin për gjermanët, dhe asnjë shumë parash apo turpi nuk mund ti tundonte. Në të njëjtën mënyrë, ushtarët amerikanë duhet ta marrin më seriozisht kodin afgan të ligjeve të zakoneve, “Pashtunvalin”. Në çdo veprim të përbashkët që ne ndërmarrim, në çdo negocim, nderi është në rrezik, dhe pa nder, një afgan ashtu si edhe një shqipar, është asgjë. Bazat për një marrëdhënie me Afganistanin duhet të jenë respekti dhe ky respekt ndahet mes personave, njeri me njeri. Hedhja e më shumë trupave në terren, për të bashkëvepruar me afganët, është e vetmja mënyrë për të ndërtuar lidhje të tilla respekti. Mësimi i dytë kryesor është mësimi nga gabimet e britanikëve: Në kulturën shqiptare, miku është i shenjtë. Sipas ligjit të zakoneve, mëkati më i madh është të mohosh mikpritjen e një mysafiri. Ekuivalenti afgan është “melmastia”-ja. Ushtarët britanikë i shfrytëzuan ligjet e mikpritjes shqiptare, por ato ishin një thikë me dy tehe. Pasi një njeri ishte mik në një shtëpi shqiptare, burri i asaj shtëpie ishte i detyruar moralisht ta mbronte atë, edhe nëse ai ishte nazist. Afganët gjithashtu e konsiderojnë mikun po kaq të shenjtë. Ata, të cilët i kanë ofruar mikpritjen e tyre luftëtarëve talebanë, nuk ka shanse të mos i mbrojnë ata. Ne mund të ndjekim talebanët, por ne nuk duhet të presim shumë nga afganët tradicionalë, të cilët ashtu si shqiptarët kanë krijuar miqësi me ta. E treta dhe e fundit: Në kulturën tradicionale shqiptare e vetmja mënyrë për të vënë në vend nderin është gjakmarrja apo pajtimi me familjen e atij që ka kryer krimin për të krijuar “besën”. Fjalët afgane (pashto) për hakmarrjen dhe pajtimin janë “badal” dhe “rogha”. Britanikët në Shqipëri kërcenin vazhdimisht mes këtyre dy poleve, gjakmarrjes dhe pajtimit. Ushtarët amerikanë në Afganistan do të gjenden gjithashtu mes këtyre dy poleve. Obama kishte të drejtë që hapi derën e pajtimit në gjysmë të rrugës me fjalimin e tij në Uest Point muajin e kaluar. Nëse Shtetet e Bashkuara do të kenë ndonjë shpresë suksesi në Afganistan strategjia në terren duhet të jetë të negociojë paqen mes personave, familjeve dhe fiseve. Dhe ajo që është më e rëndësishmja, të bëjë paqe me familjarët e atyre që ka vrarë pa dashje, të cilët janë të detyruar moralisht të marrin hakun e personave të tyre të humbur. Jehonat e kulturës fisnore vazhdojnë ende në malet e larta të Shqipërisë Veriore, por sot, vendi është gati për tiu bashkangjitur Unionit Evropian. Megjithatë, nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të fitojnë në Afganistan, ne duhet të mendojmë si një luftëtar shqiptar i një viti më parë. Ne duhet të vrasim armiqtë tanë, ose të jemi të përgatitur që të pajtohemi me ta. Nuk mund të ketë rrugë të mesme.

(Michael L. Galaty është profesor antropologjie në kolegjin Millsaps në Xhekson, Misuri. Ai ka kaluar 8 vjet në veri të Shqipërisë, ku ka drejtuar një kërkim për Fondacionin Kombëtar të Shkencës, Ndihmën Kombëtare të Shkencave Humane, Bordin e Shkëmbimeve dhe Kërkimit Ndërkombëtar dhe ambasadës amerikane në Tiranë).

(The Christian Science Monitor)
Përkthyer nga Androkli DraloKy lajm është publikuar: 10/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›