PENSIONET E USHTARAKËVE, Vendimi i Kushtetueses pritet të merret brenda janarit
Autori i Lajmit: Entela DurajVendimi i Gjykatës Kushtetuese për pensionet e ushtarakëve pritet të merret brenda janarit të 2010-ës. Të paktën kjo është logjika e ndjekur edhe nga vetë përfaqësuesit e Shoqatës së Ushtarakëve, të cilët duke u nisur nga fakti se deri në muajin mars do të ketë ndërrime mes anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, argumentojnë se vendimi për pensionet suplementare do të merret më herët. Kjo është hera e dytë që ish-ushtarakët i drejtohen Gjykatës Kushtuese për të kundërshtuar dispozitat ligjore që shkelin të drejtat e tyre. Herën e parë, kjo gjykatë ishte shprehur në favor të ish-ushtarakëve, ndërsa ishte qeveria ajo që nuk e zbatoi vendimin e dhënë. Presidenti i SHKURSH-s Mehdi Pogaçe dhe sekretari i kësaj shoqate shoqatës kanë besim se edhe këtë herë e drejta do të jetë në favor të ish-ushtarakëve. ”Mendojmë se Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë përsëri në favorin tonë pasi në këtë ligj ka papërshtatshmëri me Kushtetutën, me statusin e ushtarakut dhe vendimin e mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese. Për më tepër, ky ligj i përkeqëson të gjitha parametrat dhe masën e pensioneve të përcaktuara me ligjet e mëparshme dhe me vendimin e Gjykatës. Nuk besoj se Gjykata Kushtetuese, ky organizëm profesionistesh, të kundërshtojë një vendim të sajin që ka marrë edhe më parë. Nëse ndodh kjo, do të thotë që sistemi dhe pushteti gjyqësor i është nënshtruar tërësisht pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ,” është shprehur Pogaçe.
Ndërsa sekretari i Shoqatës së Ushtarakëve ka shpjeguar përqindjen e uljes së masës së pensionit sipas ligjit më të fundit. “Deri më tani janë miratuar rreth 7 ligje për ushtarakët dhe asnjë nuk po zbatohet. Por sipas ligjit të fundit, përqindja e uljes që pësojnë pensionet e ushtarakëve është e ndjeshme, madje në mjaft raste shkon deri në më shumë se 50 për qind. Pavarësisht se flitet për pensione të larta, ushtarakët e dalë në pension pas vitit 1992 deri në vitin 1998 marrin pensione minimale. Por, edhe ata që kanë dalë më vonë ose që do të dalin në pension në vitet në vazhdim, me gjithë pensionin suplementar nuk e arrijnë masën e pensionit që marrin mjaft sektorë të tjerë civilë,”.
Ushtarakët kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të ligjit të miratuar më 15 maj 2009 për pensionet suplementare të tyre. Për këtë ata i kanë depozituar një kërkesë Gjykatës Kushtetuese qysh më datë 1 korrik të vitit që lamë pas. ”Ky ligj është antikushtetues. Absurdi qëndron në faktin se në vend të përmirësimit ai i cënon rëndë interesat ekonomike të ushtarakëve. Mënyra se si është ndërtuar ky ligj është aq e ngatërruar dhe paradoksale. Ne jemi të sigurt që do ta fitojmë gjyqin e radhës ashtu si kemi fituar edhe të tjerë gjyqe më parë pasi para së gjithash këtu janë shkelur hapur të drejtat e njeriut dhe kjo është e papranueshme,” shprehet ndër të tjera Shkëlqim Beja, sekretar i Marrëdhënieve me Publikun dhe Median pranë Shoqatës së Ushtarakëve. Ndërsa lidhur me statusin Vlash Bushi, oficer në pension, shprehet për “Ballkan” se: ”Statusi po bën më shumë se pesë (5) vjet që është miratuar dhe nuk është bërë asnjë punë për sigurimet shoqërore suplementare të ushtarakëve të 20 majit 2005, i cili u ”sakatua” me ndryshimet e ligjit të 16 shkurit 2006 dhe akoma më keq me ligjin e 15 majit 2009, pavarëisht kërkesave detyruese të vendimit të Gjykatës Kushtetuese,”.
Në kërkesën drejtuar Gjykatës kërkohet pezullimi i menjëhershëm i ekzekutimit të ligjit nr.10142, datë 15.05.2009 ”Për sigurimin shoqëror suplementar të Ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të Punonjësve të Policisë së Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin e Punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në RSH”. Sipas Ushtarakëve ky ligj është i papajtueshëm me Kushtetutën. Pas depozitimit të kërkesës së ushtarakëve (për pezullimin e ligjit egzistues për pensionin suplementar), Gjykata Kushtetuese ka vendosur kalim e çështjes për shqyrtim në seancë plenare.
Për të disajtën herë ushtarakët mbeten të pakënaqur me projektligjin për rillogaritjen e pensioneve të parakohshme dhe atyre suplementare, nëpërmjet të cilit parashikohet unifikimi i procesit të llogaritjes, duke përjashtuar klasifikimin sipas gradave. Nga njëra anë kjo sjell eliminimin e gradave, por edhe bie ndesh dhe me vendimin e formës së prerë të nxjerrë nga Gjykata Kushtetuese. Sipas deklaratave të përmbledhura të ish-ushtarakëve, propozimet e bëra në projektin e fundit synojnë të rikthejnë sërish situatën problematike të bërë edhe nga qeveritë e mëparshme, ndërkohë që janë demotivuese për kategori të caktuara, që janë të punësuar aktualisht. Shkeljet që mbart ky projektligj nisën që me mosdiskutimin e tij në të gjitha komisionet parlamentare. Ky projektligj ndryshon skemën e pensioneve të parakohshme dhe atyre suplementare të ushtarakëve. Për pensionet e parakohshme janë hequr gradat (të cilat nuk do të merren parasysh për rillogaritjen), ndërsa për pensionet suplementare të pleqërisë është vendosur të merret parasysh 1 për qind e pagës për vjetërsinë. Kjo gjë ndikon në uljen e masës së pensionit për këto kategori. Fatkeqësisht, ky ligj prek edhe ata që janë në detyrë tani, pasi sjell uljen e masës së pensionit, çka ndikon në demotivimin e tyre. Shoqata e ish-ushtarakëve del zyrtarisht kundër këtij projekti. Për më tepër ish-ushtarakët shprehen të bindur se nuk do të dorëzohen, por se do ta çojnë çështjen deri në Strasburg nëse kërkesat e tyre nuk do të merren parasysh nga qeveria. Sipas ushtarakëve, miratimi i këtj projektligji u bë në mënyrë të fshehur. “Ne nuk e dinim që diskutimi i këtij projektligji ishte lënë për në seancën e fundit, pasi normalisht Parlamenti u mbyll dhe seanca që u rizhvillua u quajt e jashtëzakonshme dhe nuk është serioze që një paralament shpall mbylljen e tij dhe bën seanca të tjera ku miraton në fshehtësi të plotë çështje të rëndësishme siç janë dhe pensionet suplementare të ushtarakëve. Faktet tregojnë se ky projekt ka kaluar vetëm në Komisionin e Ekonomisë, nuk ka kaluar në Komisionin e Sigurisë të Parlamentit, nuk ka kaluar në Komisionin e Punës dhe Përkrahjes Sociale, nuk ka kaluar në Komisionin e Ligjeve. Pra duke marrë firmën e një komisioni të vetëm, dhe jo të të gjitha palëve të interesuara kjo konsiderohet si një shkelje”, shprehen ish-ushtarakët.
Ja shkeljet e ligjit sipas ushtarakëve
Ripunësimi
Një pikë tjetër tepër e kundërshtuar nga ish-ushtarakët ka të bëjë me faktin se sipas ligjit të ri, nëse përfituesi i pensionit të parakohshëm punësohet në vende të tjera pune që nuk kanë lidhje me funksionin e tij të mëparshëm, masa e pensionit që ai përfiton për vjetërsi shërbimi ulet në nivelin e një pensioni bazë.
Kuvendi e kaloi këtë projektligj në mes të muajit maj, pa praninë e deputetëve të opozitës në seancën e fundit parlamentare për legjislaturën 2005-2009. Efektet financiare të këtij ligji parashikohet të shkojnë deri në 45 milionë lekë në muaj. Kjo është hera e dytë që ushtarakët kërkojnë shpalljen të papërputhshme me kushtetutën një ligj për pensionet e tyre, ku e njëjta situatë është përsëritur edhe në vitin 2007. Megjithëse atëherë Gjykata vendosi në favor të ushtarakëve ai nuk u mor asnjëherë parasysh. Ushtarakët kanë kërcënuar se do ti drejtohen Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg nëse Gjykata vendos për ta shpallur antikushtetues këtë ligj dhe ai nuk merret përsëri parasysh nga qeveria. Ushtarakët vlerësojnë se ligji mohon disa të drejta të fituara me anë të ligjeve të miratuara vite më parë, duke shënuar kështu regres dhe duke shkelur parimin e sigurisë juridike. Një pikë tjetër tepër e kundërshtuar nga ish-ushtarakët ka të bëjë me faktin se sipas ligjit të ri, nëse përfituesi i pensionit të parakohshëm punësohet në vende të tjera pune që nuk kanë lidhje me funksionin e tij të mëparshëm, masa e pensionit që ai përfiton për vjetërsi shërbimi ulet në nivelin e një pensioni bazë. Ndërkohë në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë argumenton se e drejta e punësimit të tyre është sanksionuar një herë në nenin 35/2 të ligjit nr. 9210, “Për pensionin e ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, sipas të cilit pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi nuk ndërpritet në rastin e punësimit të përfituesit.
Ky lajm është publikuar: 12/01/2010