Kroacia vendos sot për pasardhësin e Stipe Mesiçit
Autori i Lajmit: AFPZagreb – Sot Kroacia zgjedh presidentin e saj në zgjedhjet presidenciale të raundit të dytë. Në këtë garë do të përballen dy kandidatët që morën më shumë vota në raundin e parë në 27 dhjetor. Profesori i drejtësisë, Ivo Josipoviç, kryeson këtë garë të raundit të dytë dhe ka shanse të zgjidhet presidenti i vendit për të zëvendësuar veteranin Stipe Mesiç, i cili shërbeu dy mandate pesëvjeçare. Josipoviç do të përballet në garë me kryebashkiakun e Zagrebit, Milan Bandiç, ish-socialdemokratin e njohur për politikat e tij populiste. Në raundin e parë garuan 12 kandidatë, por asnjë prej tyre nuk mori mbi 50% të votave. Josipoviçi fitoi raundin e parë të zgjedhjeve të 27 dhjetorit me 33.4 për qind të votave, më shumë se dyfishi i mbështetjes së Milan Bandiçit. 52-vjeçari, ekspert ligjor, por njëkohësisht dhe kompozitor muzike klasike, u zotua se do të jetë në krye të një “lufte të vendosur dhe të pakompromis kundër korrupsionit”, një nga kriteret kryesore të pranimit të Kroacisë në Bashkimin Evropian. Ai bëri një sulm të fundit kundër Josipoviçit, duke sugjeruar se një votë për kandidatin e krahut të majtë do të thoshte një zgjedhje për një “Kroaci të kuqe” komuniste. Votuesja Milena Paniç, një librashitëse, i tha AFP-së se ajo mbështeste Josipoviçin, duke shpjeguar se ajo e shikonte atë si një “burrë të ndershëm dhe të civilizuar”. Një tjetër votues, Marko Zeljeznak, sidoqoftë, tha se Josipoviçi ishte i “distancuar”, ndërsa zgjedhja e tij Bandiç, nënkuptonte “njerëzit e zakonshëm”. Sipas analistëve, Josipoviçi, ka reputacionin e zotit “të pastër”, pasi nuk është prekur nga skandalet korruptive që kanë përfshirë politikën kroate. Por ata paralajmërojnë se profesori studioz e ka të vështirë të nxisë votën popullore. Sondazhet e fundit thonë se Josipoviç është fituesi i këtyre zgjedhjeve me mbi 55% të votave. Josipoviç ka premtuar zbatimin e një reforme antikorrupsion. Këto zgjedhje kanë rëndesi të madhe, pasi presidenti i zgjedhur do të drejtoje vendin drejt anëtarësimit të plotë të Kroacisë në BE, gjë që pritet të ndodhë në 2012. Të dy kandidatët mbeshtesin përfundumin e shpejtë të bisedimeve të pranimit në BE këtë vit, por analistët thonë se Josipoviç është më i aftë për të zbatuar reformat e kërkuara nga BE me politikat e tij antikorrupsion. Por pavarësisht se çfarë kërkon BE, shumica e kroatëve janë të shqetësuar për situatën ekonomike, që është rënduar nga kriza e fundit globale. Kandidatët për president të ri të Kroacisë në ditët e fundit të fushatës gjithnjë e më fuqishëm kanë goditur njëri-tjetrin. Përmenden familjet, financat, ngjyra e kuqe dhe gjëra të ngjashme. Bandiç nuk i di emrat e presidentëve të BE-së dhe të Komisionit Evropian, sepse ata “as që i interesojnë”. Për më tepër, Bandiç nënvizon se edhe presidentit amerikan, Obama, do ti drejtohet në anglisht vetëm pasi këtë ta bëjë në fillim presidenti francez, Nikolas Sarkozi. Josipoviç shfaqet shumë më i matur. Dy përballje të kandidatëve presidencialë tashmë kanë ndodhur, ndërkohë që beteja ka rënë në qetësi pas heshtjes zgjedhore të premten në mesnatë, para se kroatët të vendosin përfundimisht se kujt do tia japin votën për president. Kandidatët presidencialë, Ivo Josipoviç dhe Milan Bandiç, të enjten mbrëma fillimisht i matën forcat në televizionin “Nova TV”, për ta vazhduar debatin e tyre të premten mbrëma në radion kroate, kryesisht në emisionin Poligraf. Pas gjithë asaj që u publikua në mediet e shkruara kroate ditëve të fundit, fillimisht dukej se as përballja e tyre e fundit nuk do të jetë shumë e ndryshme. Debatet rreth “Kroacisë së kuqe”, financimit të fushatave, nënçmimit të familjeve dhe përmendja e dokumenteve të pronësisë, ishin detajet kryesore që i karakterizuan përballjet e fundit, megjithëse ishte e dukshme se kandidati i SDP, Ivo Josipoviç, tashmë kishte filluar të shfaqë një fytyrë tjetër, pasi ishte më i sigurt, nuk i shmangej konfrontimeve direkte me Bandiç, dhe të gjitha sulmet ndaj tij i zgjidhte si duhet. Nga ana tjetër, Milan Bandiç vazhdoi me përsëritjen e sjelljeve dhe frazave të njëjta për kroatët, Kroacinë dhe Zotin, kështu që ishte gjithnjë e më e qartë se ai flet çfarëdo qoftë që i duket se trupi i tij votues dëshiron të dëgjojë. Për shembull, në përballjen e tyre në televizionin “Nova TV”, që u drejtua nga Mislav Bago, në pyetjen se a do të shërohej vetëm në Kroaci nëse do të ishte shumë i sëmurë, Bandiç iu përgjigj me “Po”, do të shërohej vetëm në Kroaci. Madje, edhe pas vërejtjes së Josipoviçit, se mjekësia kroate vërtet ka përparuar mjaft, por disa sëmundje megjithatë smund të shërohen në vend, Bandiç vazhdoi më tej që me këmbëngulje të përsëriste se do të shërohej ekskluzivisht vetëm në Kroaci. Edhe ngjarja që pak a shumë e nxori në plan të dytë përfundimin e fushatës presidenciale –përpjekja e pasuksesshme e Ivo Sanaderit për kthim në politikë, zuri një pjesë të madhe të përballjes televizive mes dy kandidatëve. Kur u pyetën rreth kthimit përfundimtar të ish-kryeministrit Ivo Sanader, në Kuvendin e Kroacisë, Milan Bandiç dhe Ivo Josipoviç dhanë vlerësime të ndryshme. Përderisa Josipoviç pohoi se nuk besonte që Sanaderi mund të prishë raportet brenda Kuvendit, qoftë edhe nëse rinis mandatin e tij të deputetit, ndërkohë që Bandiç vlerësoi se kthimi i Sanaderit në Kuvend është pothuajse një punë e përfunduar. Gjatë debateve Bandiçi bëri shumë gafa për sa i përket politikës së jashtme dhe në këtë pikë, vëzhguesit e jashtëm flasin për gjoja lidhje të dyshimta me korrupsionin në kryeqytet, lidhje të cilat do të punojnë kundër tij. Sot pritet të hedhin votën e tyre në total 4.4 milionë kroatë. Qendrat e votimit do të hapen në orën 7 dhe do të mbyllen 12 orë më vonë. Eksit-pollet do të japin rezultatet menjëherë sapo të mbyllen kutitë, ndërsa rezultatet e para zyrtare pritet të dalin pas mesnate.
(AFP)
Përkthyer nga Androkli DraloKy lajm është publikuar: 10/01/2010