Marrëveshja me Serbinë ndan EULEX-in dhe Prishtinën
Prishtina e ka prerë qëndrimin e saj mbi marrëveshjen e EULEX-it me Beogradin, se për Republikën e Kosovës marrëveshje mund të nënshkruajnë vetëm institucionet e saj. Marrëveshja mes EULEX-it dhe Beogradit, që nga zëdhënësit e EULEX-it thuhet se prek vetëm bashkëpunimin në fushën policore, ashtu siç është bërë edhe me vendet e tjera të rajonit, është bërë shkak për irritimin e autoriteteve të Prishtinës, të cilët mendojnë se hapi i EULEX-it për të nënshkruar një marrëveshje me Serbinë, e cilësdo fushe qoftë ajo, është neglizhim i autoriteteve të Kosovës, sepse marrëveshjet mes dy republikave duhet të nënshkruhen vetëm me pjesëmarrjen e të dy palëve. Reagimi i Prishtinës ka nxitur kreun e misionit evropian që të kërkojë një takim urgjent me krerët e institucioneve. Yves de Kermabon kërkoi të takojë me urgjencë presidentin dhe kryeministrin e Kosovës, lidhur me nënshkrimin e protokollit të bashkëpunimit ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë. I sapokthyer nga pushimet, Kermabon ka lëshuar një deklaratë, në të cilën thotë se ka pasur një mori keqkuptimesh dhe keqinterpretimesh lidhur me çështjen e Protokollit për Bashkëpunim Policor, që pritet të nënshkruhet ndërmjet EULEX-it dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Sipas tij, EULEX-i nuk ka nënshkruar dhe nuk mund të nënshkruajë çfarëdo lloj protokolli në emër të Kosovës, por si mision teknik për sundimin e ligjit, EULEX-i mund të nënshkruajë protokolle vetëm në emër të tij dhe për çështjet që lidhen me sundimin e ligjit, sipas pajtimit të arritur nga 27 vendet anëtare të BE-së. Shefi i EULEX-it thotë se nënshkrimi i marrëveshjeve për bashkëpunim me ministritë përkatëse të rajonit nuk është i pazakontë, pasi marrëveshje të ngjashme janë nënshkruar edhe me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Shqipërinë. Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës i janë përgjigjur pozitivisht kër-kesës së shefit të EULEX-it dhe takimi pritet të zhvillohet sot. Takimin mes tyre e konfirmoi zëdhënësi i presidentit të Kosovës, Xhavit Beqiri, duke shtuar se pas takimit presidenti do të dalë edhe me qëndrimin përfundimtar rreth këtyre marrëveshjeve të përfolura. “Presidenti Sejdiu natyrisht që do ta presë Iv de Kermabonë dhe besoj që takimi do të realizohet të enjten dhe do të diskutohen të gjitha çështjet. Qëndrimi i presidentit të Republikës së Kosovës, se për Kosovën marrëveshje mund të nënshkruajnë vetëm institucionet e Kosovës, është i prerë, ndërsa për institucionet e Kosovës nuk ka asnjë dyshim që bashkëpunojnë dhe e mbështesin punën e EULEX-it, në shërbim të vendosjes së rendit në gjithë territorin e Kosovës”, tha ai. Ndërkohë edhe opozita u kërkon institucioneve të Kosovës që të përfshihen në bisedime dhe marrëveshje me të gjitha vendet fqinje, por vetëm mbi parimet e palëve dhe shteteve sovrane.