E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afrika e Jugut: Për Semenian "plas lufta e tretë botërore"

Kaster Mokgadi Semenia, atletja nga Afrika e Jugut dhe kampione e botës në garën e 800 metrave në Berlin (1‘55"45), mund ta ketë mbyllur karrierën ndërkombëtare edhe pse është vetëm 18 vjeçe. Federata Botërore e Atletikës (IAAF) as nuk e ka konfirmuar dhe as nuk e ka mohuar lajmin e publikuar në dy gazeta australiane, "Sydney Daily Telegraph" dhe "Australian", të cilat theksonin se Semenia është një hermafrodit. Të përditshmet pretendonin se kishin siguruar përgjigjet e testeve, të cilat tregonin një nivel testosteroni tri herë më të lartë se te çfarëdo femre normale. Zëdhënësi i IAAF, Nik Devies, tha: "Më 21 nëntor do të zhvillohet një mbledhje, ku do të merret një vendim përfundimtar". Por, sipas "Daily Telegraph": "Federata duket se e ka këshilluar Semenian që t‘i nënshtrohet menjëherë një ndërhyrjeje kirurgjikale, pasi kjo situatë mund t‘i shkaktojë rreziqe të mëdha për shëndetin". "Qeveria" e atletikës botërore duket se nuk do t‘ia heqë sportistes medaljen e artë, sepse nuk kemi të bëjmë me një rast dopingu. Por, problemi kryesor është se IAAF nuk do ta lejojë adoleshenten të garojë në aktivitetet ndërkombëtare. Ndaj këtij lajmi ka reaguar ashpër Federata e Atletikës dhe ministri i Sporteve në Afrikën e Jugut, Makhenkesi Stofile. Ai tha: "Nëse Semenia përjashtohet, do të shpërthejë lufta e tretë botërore. Jemi të gatshëm t‘i kundërvihemi këtij vendimi të padrejtë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›