E Diel, 1 Nëntor 2026

Murinjo "ngacmon" Ibrën: Eto‘o, sulmuesi më i mirë

Zhoze Murinjo deklaron se Samuel Eto‘o është sulmuesi më i mirë nga të gjithë ata që ka stërvitur, duke e pozicionuar kamerunasin përpara Ibrahimoviç dhe Drogba. "Eto‘o është maksimumi. Absolutisht sulmuesi më i mirë me të cilin kam punuar ndonjëherë. Është maksimumi që mund të kërkojë një trajner". Gjithsesi më tej, trajneri i Interit shpjegoi se "i cilësoj lojtarët e mi, si më të mirët në botë". Në këtë mënyrë, Murinjo u qëndron "besnik" fjalëve të thëna gjatë muajit gusht, kur u shpreh se Eto‘o është më i rëndësishëm për zikaltërit në krahasim me Ibrën, i cili vendosi të bashkohej me Barcelonën. Drejtuesi i stolit të kampionëve të Serisë A theksoi se është i përqendruar vetëm te sfida e sotme me Parmën dhe se ende nuk ka ardhur koha për të menduar për Barcelonën. "Nuk po mendoj fare për Barçën, takimi i së mërkurës nuk më shqetëson aspak. Kundër Parmës do të aktivizoj lojtarët më të mirë, sepse mendoj që luajmë përballë një kundërshtari të vështirë, i cili kërkon fitoren. Jemi një skuadër që po rritemi me ngadalë, pasi kemi ndryshuar shumë elementë nga edicioni i kaluar. Gjithsesi nuk mund të them me siguri se do të luajmë më bukur apo se do të paraqitemi më mirë në Champions". Në fund një batutë: "A shqetësohem nga Juventusi? Përgjigjja ime mbetet e njëjta: Shikoni rrathët e zinj në sytë e mirë. Nuk më zë gjumi natën".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›