E Shtunë, 31 Tetor 2026

Replikë mbi përgjigjen e Urdhrit të Mjekut

Përgjigjen e “Urdhrit të Mjekut” me Numër Protokolli 8/1 për ankesën tonë ndaj Klinikës Ortodokse dhe mjekut laborant, i punësuar pranë kësaj klinike, është dorëzuar në redaksinë e gazetës që publiku të njihet me përmbajtjen e saj.

Ne shprehim keqardhjen dhe indinjatën tonë të thellë për mungesën e humanizmit, objektivitetit, profesionalizmit dhe qëndrimit thellësisht të njëanshëm, në trajtimin e një problemi, që nuk është i rëndësishëm vetëm për ne. Zotërinjtë e “Urdhrit të Mjekut” në vend që të mbajnë qëndrim ndaj një mjeku, qoftë ky kolegu dhe miku i tyre, i cili me pasaktësinë e tij në kryerjen e analizës, shqetësoi për 4-5 muaj rresht një familje të tërë, ata fajësojnë viktimën e familjaret e saj, që për një diagnozë sipas tyre “të zakonshme, malinjizim fillestar”, janë alarmuar dhe e kanë kanalizuar problemin në rrugë jo normale. Për të mbrojtur kolegun e tyre, nuk e dimë nga kush, manipulojnë me dashje të vërtetat shkencore, duke e quajtur diagnozën e përcaktuar nga mjeku, thjesht një infeksion të stomakut.

Zotërinjtë e “Urdhrit të Mjekut”, kanë pasur në dispozicion të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, të dhënë zyrtarisht e me kompetencë nga klinikat përkatëse për të gjykuar e për të dhënë mendimin se cila nga klinikat ka gabuar mbi përcaktimin e diagnozës. Për të njëjtin material me numër 563/09 të marrë nga polibi, konstaton qelizat të malinjizuara, ndërsa klinika turke nuk i konstaton, e më tej klinika italiane, pasi heq polibin dhe e analizon përjashton çdo mundësi të ekzistencës të qelizave të malinjizuara.

Siç jemi konsultuar edhe me mjekë të tjerë, malinjizimi, qoftë edhe fillestar nuk mund të ngatërrohet, me infeksion stomaku apo polib beninj. Malinjizimi kur konstatohet në një analizë, nuk zhduket vetvetiu. Kur ai përjashtohet në analizën e dytë, apo të tretë të të njëjtit material, do të thotë se ai nuk ka ekzistuar dhe analiza e parë, ose është e pasaktë, ose është interpretuar gabim dhe për të dyja rastet, duhet të mbahet përgjegjësi.

është e vërtetë, siç konstatoni dhe ju, se mjeku nuk na ka rekomanduar analiza apo ndërhyrje kirurgjikale jashtë shtetit dhe për këtë, nuk e kemi akuzuar, por gjithashtu është shumë e vërtetë, që ai na rekomandoi operim sa më të shpejtë te QSUT-ja, duke na dhënë dhe emrin e mjekut kirurg. Shqetësimit tonë për rezultatin e mundshëm të ndërhyrjes kirurgjikale mjeku iu përgjigj në gjuhën italiane “dipende”, varet.

Ai, me diagnozën që përcaktoi dhe rekomandimin e tij na shqetësoi maksimalisht dhe na nxiti t’i shkojmë problemit deri në fund.

Ne shkuam te kirurgët, se aty na drejtuan dhe asnjë nga mjekët kirurgë apo gastrologë me diagnozën e përcaktuar nuk e përjashtuan operimin, madje pati mendime që ai duhet bërë sa më parë. Vetëm pas një konsulte me mjekët operatorë dhe gastrologë, të cilët ranë dakord që të përsëritej fibroskopia dhe analiza histologjike, operimi u shty për 3-4 javë.

Sa për këshillën, që ne duhet t’i drejtoheshim mjekut që bëri fibrogastroskopinë e parë, unë u sqarova, por nuk keni dashur të më dëgjoni. Për kompensimin tonë financiar, zotërinjtë e “Urdhrit të Mjekut”, mos u shqetësoni se e kemi të qartë që nuk keni kompetencë, duhet të kuptoni, që nuk është gjithçka. Ne na vjen keq zotërinj, që nuk na besoni për ato që kemi shkruar dhe kemi thënë! Pse ju mendoni se mund t’ju gënjejmë?!

Jemi një familje normale, kemi studiuar, kemi punuar dhe punojmë me korrektësi dhe pretendojmë se jemi të ndershëm me personalitet e integritet moral, jo me të paktë se juaji dhe në asnjë mënyrë nuk do t’ia lejonim vetes të dezinformonim publikun, mbi të gjitha nuk do të kishim arsye. Mos harroni, që çdo gjë ka koston e vet, mos kujtoni se është e lehtë të trokasësh nëpër dyer, qoftë edhe e ndonjë gazete kjo, dhe të të dëgjojnë problemin që ke!!

Pse ju jeni të predispozuar, për të mbrojtur kolegun e mikun tuaj për mungesë sinqeriteti, i cili me aq kurajë dhe gjakftohtësi mohon të vërtetën dhe i shmanget përgjegjësisë. A nuk mendoni se në trajtimin e kësaj ngjarje ka mungesë etike, jo vetëm nga mjeku që ju mbroni, por dhe nga ju vetë? Ju pyes sinqerisht zotërinj të “Urdhrit të Mjekut”: Mirë mjekët ka kush i mbron për paudhësitë e tyre, po ne, qytetarët e thjeshtë, që vuajmë pasojat e pasaktësive të tyre, kush na mbron? Qëndrimi juaj nuk është drejtë. Ai është oportunist dhe manifeston e stimulon solidaritet të sëmurë në radhët e bluzave të bardha me pasoja të rënda për shoqërinë. Si qytetar ju bëj thirrje, mos i manipuloni e mbuloni të vërtetat, sado të hidhura të jenë se na shëndoshin e na bëjnë mirë të gjithëve, edhe juve.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›