Vdes komandanti i FARK-ut, lideri dhe themeluesi i grupit
Grupi rebel majtist në Kolumbi, FARK, ka konfirmuar vdekjen e komandantit të tij, Manuel Marulanda, duke thënë se ai kishte vdekur si pasojë e një ataku në zemër. Marulanda, që edhe ka themeluar grupin, vdiq në krahët e shokëve të tij, më 26 mars, sipas një deklarate të FARK-ut, të transmetuar në mediat kolumbiane. Vdekja e tij ishte publikuar ndërkohë të shtunën nga ushtria kolumbiane dhe mediat vendase. Në moshën 78-vjeçare, thuhej se lideri rebel nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe dyshohej madje se vuante edhe nga një kancer i prostatës. "Lideri i madh nuk jeton më", thuhej në deklaratën e FARK-ut. Më tej bëhej e ditur se Marulanda, që njihej si Tirofijo, apo "shënjestra e saktë", do të zëvendësohet tani si komandant i përgjithshëm, nga Alfonso Cano, që konsiderohet nga shumëkush si lideri ideologjik i grupit. Por, duke raportuar nga Kolumbia, korrespondentët vënë re se FARK, momentalisht, po njeh periudhën më të vështirë të saj pavarësisht se po i afrohet përvjetorit të 44-t të krijimit. Sipas tyre, në pikën më të ulët të tyre dhe në kushtet e mungesës së një figure frymëzuese si Marulanda, FARK-u mund të përballet edhe me më shumë dezertime dhe mund të shkohet ndoshta edhe drejt një shpërbërjeje të grupit. Gjithsesi, Alfonso Cano, mund të sjellë ndryshimin e nevojshëm në strukturën e FARK-ut dhe mund të kërkojë t‘i japë fund një serie disfatash me të cilat janë përballur rebelët këto pesë vitet e fundit. Por në anën tjetër, janë shtuar në Kolumbi shpresat për lirimin e pengjeve. Sipas Presidentit Alvaro Uribe, liderët e FARK-ut janë të gatshëm të dorëzohen dhe të lirojnë pengjet politike, mes të cilëve edhe qytetaren franko-kolumbiane, Ingrid Betancourt. "Janë të gatshëm të dorëzojnë të gjitha pengjet", ka konfirmuar Uribe. Sipas tij, prej muajsh, guerilja duket se po kalon çaste dobësie. Ministria e Mbrojtjes nënvizon gjithashtu dobësimin e FARK-ut, veçanërisht tani kur lideri dhe themeluesi Marulanda, nuk jeton më. Ka gjasa madje që komandantët që do të braktisin luftën e armatosur, t‘i dorëzohen autoriteteve franceze ku edhe mund të lihen të lirë. FARK-u ka pasur në kontroll zona të gjera në Kolumbi dhe është financuar kryesisht nga trafiku i drogës dhe rrëmbimet. Pengu i tyre më i famshëm është ish-kandidatja për presidente, në vitin 2002, franko-kolumbiania Ingrid Betancourt, që gjendet në duart e tyre prej më shumë se gjashtë vjetësh.