"Afrim Hasani vrau policët, iku me vrap"
TIRANE - Pronari i lokalit ku mbetën të vrarë dy punonjësit e policisë së Kukësit, Ramadan Hila e Shkëlzen Dobrushi, dëshmoi dje tek Krimet e Rënda në procesin në ngarkim të personit të akuzuar si ekzekutor i tyre, Afrim Hasani. Isa Dobrushi rrëfeu para trupës gjykuese se si kishte dëgjuar krismat dhe kishte gjetur trupat e pajetë të policëve në lokalin në pronësi të tij. Dobrushi pohoi për togat e zeza që ishte po ai që kishte lajmëruar policinë për ngjarjen e rëndë dhe se fillimisht ai nuk ishte besuar prej autoriteteve. Gjithashtu në dëshmi ai pohoi edhe faktin se banorë të zonës kishin qëndruar indiferentë ndaj dy trupave të pajetë të punonjësve të policisë. "Ka qenë data 23 mars 2009, aty rreth orës 21:20 minuta, kur po rrija në dhomën e katit të dytë, sipër lokalit që ndodhet në katin e parë. Në atë moment kam dëgjuar shumë zhurmë dhe të shtëna armësh që bëra të lëvizë dhe të zbres poshtë në lokal. Sapo kam hyrë në lokal nga dera e banakut, kam parë të vrarë dy policët Ramdan Hila e Shkëlzen Dobrushin të shtrirë në mes të lokalit", pohoi dëshmitari Dobrushi. Sipas tij, ai e kishte gjetur lokalin të boshatisur dhe të dëmtuar. "Njerëzit e tjerë kishin ikur dhe ishin thyer disa karrige, tavolina e dritare. Dal tek dera kryesore dhe pashë një person që po ikte me automatik të dorë. Më pas mësova se kishte qenë Afrim Hasanaj ai që i ka qëlluar për një konflikt mes tyre", u shpreh ai. "I kam kontrolluar pulsin dy policëve të vrarë dhe më pas kam lajmëruar policinë, të cilët nuk po më besonin dhe po me kërkonin informacion shtesë. I thashë hajdeni se janë vrarë Ramdan Hila e Shkëlzen Dobrushi dhe ndodhen të shtirë në lokal, dhe vetëm atëherë policia ka ardhur pas disa minutash", bëri të ditur dëshmitari për gjykatën. Ngjarja e rëndë që përfundoi me vdekjen e dy policëve, u shënua më 23 mars të këtij viti në fshatin Shën Mëri të Kukësit. "Rreth orës 20:30 - 21 të dt 23.03.2009, duke ditur lëvizjet e punonjësve të policisë, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hilaj, me të cilët ishte konfliktuar një javë më parë, i pandehuri Afrim Hasani me armë automatike ka hyrë në lokalin e shtetasit Isa Dobrusha dhe ka hapur zjarr në drejtim të dy punonjësve të policisë, konkretisht dy shtetasve të cilët e kishin kallëzuar në Prokurori si autor të ngjarjes së dt 16.03.2009, duke i lënë që të dy të vdekur në vend me plumba në kokë", thuhet në kërkesën për gjykim në ngarkim të tij. ar.ba