Italia ekstradon Kristjan Begun, tentoi të vrasë Lulzim Berishën
Tirane - Ekstradohet nga Italia në Tiranë anëtari i klanit të Klodian Saliut dhe Indrit Dokles në bandën e Durrësit, i akuzuar për tentativë vrasje ndaj kreut të saj Lulzim Berisha. Burime zyrtare të policisë së shtetit, thanë dje në mbrëmje se Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana ekstradoi nga Milano - Itali në Tiranë shtetasin shqiptar Kristjan (Gazmend) Thoma Begu, 33 vjeç. Ndaj të ekstraduarit Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, ka vendosur masën e sigurisë "arrest në burg" më 7 mars 2007, Sipas policisë, Kristjan (Gazmend) Begu, akuzohet për veprat penale "vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentative" ndaj Lulzim Berishës në shenjë hakmarrje për atentatin që iu bë në autostradën Tiranë-Durrës biznsmenit Klodian Saliu. "Kristjan (Edmond) BEGU, gjatë viteve 2002 dhe në vazhdim ka qenë inkuadruar në "organizatën Kriminale", që drejtohej nga shtetasi Klodjan Saliu dhe Indrit Dokle", tha policia. Sipas saj, më 26 shkurt 2005, është vrarë me armë zjarri Klodjan Saliu dhe më pas drejtimin e organizatës e ka marrë Indrit Dokle. Grupi rival i bandës, dyshonte se vrasja e Klodian Saliut ishte kryer nga shtetasi Lulëzim Berisha në bashkëpunim me shtetasit Indrit Taullaj dhe Plaurent Dervishaj. "Si hakmarrje shtetasit Indrit Dokle dhe Kristjan Begu, përgatisin një plan për të realizuar vrasjen e Lulëzim Berishës. Më 5 prill 2005, ora 13:00, personat e ngarkuar për kryerjen e vrasjes, po udhëtonin me makinë të armatosur. "Në kohën që po përgatiteshin të kryenin aktin kriminal janë zbuluar nga policia, në ato momente kanë braktisur makinën dhe janë larguar me shpejtësi duke lënë armët në makinë", thanë burimet e policisë. Sipas tyre, arrestimi i Kristjan Begut në Itali është bërë më 7 nëntor 2008, me qëllim ekstradimin e tij në Shqipëri. I arrestuari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, gjatë hetimeve të saj në adresë të Bandës së Durrësit. Në këtë procedim penal janë arrestuar mëse 16 persona ndërsa Begu dhe Plarent Dervishaj gjykoheshin në mungesë. I ekstraduari i djeshëm Kristjan Begu vetëm pak kohë më parë kërkoi azil politik në Itali duke pretenduar se jeta e tij në Shqipëri ishte në rrezik. Ai u tha autoriteteve se kishte tentuar të vriste Lulzim Berishën, duke pretentuar se ky ishte i afërm i një zyrtari të lartë çka përbënte rrezik për jetën dhe sigurinë e tij. tr.so