E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrogozhinë, ndërrohen shefat e policisë, incident në burg

 

Fatos Mahmutaj

Shkarkimi i shefit të policisë të burgut të Rrogozhinës, tre ditë më parë, e ka kthyer këtë institucion në një arenë grindjesh mes tij dhe pasardhësit në këtë post. Lajmi konfirmohet nga burime brenda këtij burgu, ndërsa pohohet edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Burime nga burgu i Rrogozhinës pohuan dje se Afrim Zeqiri ishte vendosur të shkarkohej nga detyra dhe në vendin e tij të transferohej Besim Rama, shefi i policisë i burgut të Zaharisë së Krujës. Por në momentin që Rama është paraqitur në derën e institucionit të burgut të Rrogozhinës për të marrë detyrën, Afrim Zeqiri ka urdhëruar policin roje te dera që të mos e lejonte të hynte brenda. Burime nga ky burg pohuan se shefi i ri i policisë është prezantuar, duke dorëzuar edhe urdhrin e emërimit të tij, por sërish policët e burgut nuk i kanë hapur derën, pasi i kanë komunikuar se ishin urdhëruar nga shefi i tyre në detyrë, që të vepronin kështu. Edhe ndërhyrja e krerëve të burgut nuk ka qenë efikase, pasi shefi i ri i policisë sërish nuk ka mundur të hynte brenda institucionit, kjo edhe pas urdhrit me telefon nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Vetëm pasi ka kaluar më tepër se një orë, Zeqiri është telefonuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe i është premtuar se do të emërohej shef i policisë së institucionit të riedukimit në Kavajë, i cili pritet të fillojë funksionimin së shpejti. Pas kësaj Rama është lejuar të hyjë në institucionin e ekzekutimit të dënimeve penale dhe të marrë dorëzim zyrën e tij. Pas kësaj gjendja është normalizuar ndërsa shefi i ri i policisë ka nisur të drejtojë punët në këtë institucion. Mësohet se Zeqiri kishte nisur punë në detyrën e shefit të policisë së burgut të Rrogozhinës në muajin mars të këtij viti dhe ka qëndruar në këtë detyre deri tre ditë më parë. Burime nga ky burg pohojnë se gjatë qëndrimit në detyrë Zeqiri ka shkaktuar konflikte të shumta me vartësit e vet, ku mes tyre ka qenë edhe ndryshimi i pozicionit të punës së policëve, çka ka sjellë reagimin e ashpër të tyre, të cilët janë ankuar te autoritetet drejtuese të institucionit. Ditët e fundit pas ndryshimit të krerëve të policisë së këtij burgu ka nisur rikthimi i policëve të transferuar nëpër vendet e tyre të punës. 

Afrim Zeqiri i arrestuar në 2006
TIRANE - Afrim Zeqiri, ish-shefi i Komisariatit të Tepelenës përfundoi në pranga më 23 maj të vitit 2006, vetëm pak muaj pasi kishte marrë këtë detyrë. Së bashku me të u arrestuan edhe shoferi i tij dhe dy policë me gradën agjent, të katër të akuzuar për nxjerrjen me të dhëna të rreme të pasaportës së një personi të kërkuar nga drejtësia. Ndaj tyre u ngritën akuzat: "shpërdorim detyre", "falsifikim pasaportash", "falsifikim formularësh" dhe "korrupsion". Pas gjykimit Zeqiri u shpall i pafajshëm, ndërsa nga burgu ishte liruar pas dy javësh arrest me vendim të Gjykatës së Apelit të Gjirokastrës. Para vitit 1997 Zeqiri ka pasur funksione drejtuese në radhët e policisë nëpër disa rrethe, ndërsa në fund ka drejtuar komisariatin e qytetit të Elbasanit. Pas kësaj ai është liruar nga detyra për t'u rikthyer sërish në radhët e policisë pas vitit 2005.                                                             f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›