E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Do kapim autorin e vrasjes së Xhindit"

 

Etleva Delia

Ministri i Brend-shëm, Bujar Nishani, tha se dje operacioni që arrestoi të shumëkërkuarin Dritan Dajti ishte një sukses i policisë shqiptare.Pas ceremonisë së dhënies së gradës "Inspektor" për 58 policë të patrullës së përgjithshme, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ministri foli për masakrën e Durrësit, ku u vranë 4 oficerë policie si dhe për hetimet lidhur me vrasjen e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi. Nishani u shpreh se ngjarja e 7 gushtit, ku mbetën të vrarë oficerët Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Kastriot Feska dhe Altin Dizdari, është ende duke u analizuar nga drejtuesit më të lartë të policisë. "Çdo veprimtari ka analizën e saj për atë se cilat mund të jenë ato elemente që mund të përmirësojnë më tej punën e Policisë së Shtetit", u shpreh ministri i Brendshëm. Përveç ngjarjes tragjike të Durrësit, Bujar Nishani iu përgjigj interesit të medias edhe për hetimet që po kryhen në lidhje me vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi. Ministri tha se hetimet po ecin mirë dhe shumë shpejt policia do të ketë një emër konkret për autorin e vrasjes së Xhindit.
VRASJA E XHINDIT
Hetimet për zbardhjen e vrasjes së deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi, janë në duart e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, por ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, beson në zbardhjen e shpejtë të këtij krimi dhe arrestimin e autorëve. Madje, sipas Nishanit, së shpejti do të ketë edhe një emër konkret të autorit të ngjarjes. "Është një çështje me të cilën është duke u marrë tërësisht organi i Prokurorisë. Policia e Shtetit që në fillim ka vënë në dispozicion të gjithë specialistët e saj më të mirë dhe nga informacionet që ne kemi është një hetim që po ecën brenda të gjitha parametrave të parashikuara në dosjen përkatëse. Kam besim të plotë", deklaroi dje ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. "Së shpejti do të kemi edhe emra konkretë për ngjarjen", mbylli deklaratën e tij për mediat numri një i dikasterit blu.
OPERACIONI "DAJTI"
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, e ka vlerësuar si më të suksesshmin ndër operacionet e policisë atë për arrestimin e Dritan Dajtit, ngjarje ku ranë në krye të detyrës 4 oficerë policie. Nishani foli dje para mediave për analizën e operacionit lidhur me arrestimin e të shumëkërkuarit Dritan Dajti gati një muaj më parë në Durrës. Ministri tha se çdo veprimtari ka analizën e saj për atë se cilat mund të jenë ato elemente që mund të përmirësojnë më tej punën e Policisë së Shtetit. "Natyrisht, misioni për arrestimin e të shumëkërkuarit Dajti ishte i vështirë. Rënia në krye të detyrës e katër Dëshmorëve të Atdheut, ka qenë moment shumë i dhimbshëm. Por, mos harrojmë që Policia e Shtetit është dhe do të jetë gjithmonë në luftë kundër krimit dhe kriminelëve. Në luftë ka shumë beteja dhe në betejë ka edhe të rënë", u shpreh Nishani. Ai garantoi se siguria dhe rendi për publikun është obligimi më i madh i Policisë së Shtetit.

Vëllai i Xhindit: Drejtësia të veprojë pa mëshirë!

FIER - Është dashur vetëm një deklaratë e Ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, që të ngjallë sërish shpresat për zbardhjen e vrasjes së deputetit socialist, Fatmir Xhindi. Familjarët e këtij të fundit kanë reaguar menjëherë pas prononcimit të Nishanit, duke thënë se shpresat e tyre kishin humbur fill pas rrëzimit të pistave të hetimit nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Vëllai i deputetit të ndjerë, Ilir Xhindi, ka folur sërish për gazetën duke thënë se kjo është e vetmja rrugë që shteti bëhet i besueshëm për të imponuar se drejtësia ekziston vërtet. "Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, ndaj gjithmonë kemi thënë se zbardhjen e vrasjes së vëllait tonë e ka në dorë shteti. Nëse hetimet vazhdojnë intensivisht, me siguri që do të gjendet vrasësi i Fatmirit, pasi vetëm kështu vërtetohet prania e një shteti ligjor. Por megjithë punën e bërë deri tani, ne kërkojmë më shumë interesim nga të gjitha strukturat për të vendosur pas hekurave vrasësin e Fatmirit, që sot e kësaj dite endet i lirë". Vëllai i të ndjerit Xhindi është treguar i prerë në lidhje me autorin që ekzekutoi deputetin përpara derës së shtëpisë, mbrëmjen e 2 majit të këtij viti. "Kërkoj ndëshkimin maksimal të autorit të kësaj vrasjeje, kushdo qoftë ai. E kur flas për autorin e vrasjes nuk përjashtoj askënd, qoftë edhe banor i kësaj zone. Edhe pse pas kaq kohësh Ministria e Brendshme del me të dhëna deri diku konkrete, ne nuk mund të kënaqemi me kaq. Kjo që u deklarua sot nga ministri Nishani duhej bërë përpara disa muajsh, me qëllim që dhe ne si familjarë të ishim të qetë. Shpresojmë në një emër konkret përpara formimit të qeverisë së re". Vetë vëllai i deputetit, Ilir Xhindi, e ka bërë këtë deklaratë duke lënë të nënkuptohet se nuk do të lëshojë pe për personin që mund të ketë ekzekutuar të vëllain ose ka dorë në këtë krim të shëmtuar. Ndër të tjera ai ka theksuar se deri më tani janë mbledhur prova të mjaftueshme për të identifikuar autorin e vrasjes e për të bërë ndalimin e tij. Të njëjtin mendim kanë ndarë edhe familjarë të tjerë të deputetit Fatmir Xhindi, të cilët më ngulm, prej kohësh, vazhdojnë të kërkojnë emrin e autorit të vrasjes mafioze të ndodhur në Roskovec të Fierit.                                     m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›