Bogdani, danezëve: Ju shënoj sërish
Do golin e tretë radhazi në ndeshjet me Kombëtaren. Erjon Bogdani është gati të vazhdojë me këtë ritëm, e aq më tepër kur përpara do të ketë një skuadër si Danimarka, nga ku kujton me nostalgji golin që u ka shënuar më 8 qershor të vitit 2005. Në këtë ndeshje, kuqezinjtë humbën 3-1, ndërkohë që sulmuesi ishte në një formë të shkëlqyer. “Ka qenë me të vërtetë një gol i bukur. Kam kaluar midis dy mbrojtësve, por që nuk vlejti, sepse humbëm”, - tregon Bogdani, në një kohë që po shijonte kafen pas drekës. Si një italian i vërtetë, për të kafja zgjat pak sekonda, sepse gëlltitet shpejt. Më pas, Bogdani nis të flasë për ndeshjen. “Natyrisht që do të ishte diçka e bukur që unë të realizoja edhe në këtë ndeshje. Megjithatë, mund të them se ka shumë rëndësi të luajmë një futboll të bukur përpara tifozëve tanë. Jemi të qetë përpara kësaj sfide, kështu që besoj se do të bëjmë një lojë të mirë. Danimarka është realisht një nga skuadrat më të mira në Evropë, jo më kot kryeson edhe grupin tonë, por kjo nuk do të thotë se ne duhet të futemi në fushë me idenë e një rezultati negativ. Duhet të bëjmë më të mirën tonë”, - përfundon 32-vjeçari. j.m.