E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Banda e Bares, lojë me kokën e Dajës"

 

Armand Bajrami

Pesë gjyqtarët që kanë në dorë gjy-kimin e personave të akuzuar si anëtarë të "Bandës së Lushnjës" u njohën dje me deklarimet e katër lushnjarëve, të "prekur" nga veprimtaria kriminale e kësaj organizate. Prokuroria për Krimet e Rënda solli para gjykatës deklarimet e Mimoza Haxhiut, Pranvera e Karafil Haxhiut, bashkëshortë, si edhe Flamur Bilbilit, deklarime këto të dhëna tre vjet më parë në policinë e Lushnjës. Deklarimet e lexuara dje në gjykatë, kanë bërë të njohur terrorin që anëtarë të kësaj bande kanë ushtruar te biznesmenët e qytetit dhe të afërmit e tyre, si edhe ngjarja një ndër episodet me makabre të saj; shëtitjen e kokës së prerë të Artur Dajës në qendër të qytetit të Lushnjës. Një seancë më parë, gjykata kishte pranuar leximin e deklarimeve të dhëna prej tyre përpara oficerëve të policisë gjyqësore, pasi aktualisht ata ndodhen jashtë Shqipërisë dhe gjykata e ka të pamundur sjelljen e tyre si dëshmitarë në sallën e gjyqit.
Deklarimet
Mimoza Haxhiu, bashkëshortja e kushëririt të Shkëlqim Haxhiut, të cilit banda e Lushnjës i ka djegur banesën në vitin 1998, ka treguar para oficerëve gjyqësore detaje të vizitës nga të "paftuar" në shtëpinë e saj, si edhe pamjen kur anëtarë të bandës luanin me kokën e prerë të Artur Dajës. Referuar deklarimeve të saj, kishte qenë një zhurmë e ngjashme me atë të mbushjes së armës, ajo që e kishte shpëtuar nga personat e armatosur që po i shqyenin derën e shtëpisë, duke e kërcënuar me zë të lartë. 
"Në një prej ditëve të muajit gusht, rreth orës 1 e 30, dëgjova goditje të forta në portën e jashtme. Burri im, Sami Haxhiu, nuk ishte në shtëpi pasi kishte shkuar tek nëna e tij e sëmurë. Në këto kushte pa hapur derën dal në dritare. Pashë që para shtëpisë sime ishin grumbulluar disa persona të armatosur me automatik në dorë. Sa i pashë unë arrita të njoh aty Ilir Stërgu, Arben Boricin, Enver Boriçin, Enver Dondollaku, Arjan Alicon e të tjerë që nuk arrita t'i njihja. Unë pashë aty edhe Leonardin që këta e thërrisnin Çibuku ose Zhvejku. Në të njëjtën kohë që këta po përpiqeshin të hapnin derën, në të njëjtën kohë, thërrisnin "do ju vrasim. Duam Samiun. Do ju djegim brenda". Unë e frikësuar nxitova dhe lëviza një tavolinë metalike që lëshoi një zhurmë karakteristike që u duk si mbushja e një arme. Sa u dëgjua kjo zhurmë ata u larguan" lexoi dje prokurori i seancës. Në vijim ajo sqaronte se të nesërmen kishte marrë vesh se ishte djegur banesa e Shkëlqim Haxhiut. Ndërkohë që në mënyrë të vazhdueshme në vijim, ajo dhe familja e saj ishin kërcënuar me anë të telefonit, çka i kishte detyruar të largoheshin nga Shqipëria. "Fillimisht u larguam për në Greqi, pastaj në Turqi dhe më pas në Gjermani":, thuhej në procesverbalin e deklarimit.
Koka e Tur Dajës
Nga i njëjti procesverbal gjykata u njoh edhe me ngjarjen makabre për të cilën akuzohet banda, që sipas prokurorisë drejtohej nga Aldo Bare. "Për personat që përmenda më lart dhe që njiheshin si pjesëtarë të grupit të Fredi Shkurtit (Aldo Bare), dua të sqaroj se ka qenë në tetor të vitit 1998 rreth orës 8-9 të mëngjesit, kisha dalë tek shtëpia e vjehrrës që ndodhet pas gjykatës së rrethit. Po ikja nga shtëpia para prokurorisë, tek rruga që të çon tek shatërvani në qendër të qytetit. Sa kalova para shatërvanit, pashë para Bashkisë rreth 50 metra më tutje një grup personash që po vinin drejt shatërvanit. Në dorë kishin një kokë njeriu dhe thërrisnin "O papu, ja koka e Artur Dajës". Në këtë grup personash unë arrita të njihja, Leonard Priftin, Enver Dondollakun, Ilir Stërgun, Erion Cicin, Arben Boricin, Enver Boriçin. Koka ishte me flokë të gjata. Personat e mësipërm i njoh ngaqë frekuentonin lokalin", thuhej në deklarimet e paraqitura në gjykatë.

"Më vranë vëllanë e marrë peng"
TIRANE - Flamur Bilbili, vëllai i të cilit dyshohet të jetë ekzekutuar nga anëtarë të Bandës së Lushnjës, kishte pohuar para oficerëve të policisë gjyqësore se ishte njohur me "fatin e keq" të vëllait gjatë ceremonisë mortore të tij. Sipas deklarimeve të dhëna në vitin 2006, Flamur Bilbili kishte pohuar se "më 17 gusht të vitit 1998 ishte vrarë vëllai i tij, Luan Bilbili". "Për vrasjen e vëllait kam mësuar rreth orës 15:30 të kësaj dite. Mora vesh se e kishin gjetur të vrarë në vendin e quajtur 'Gropa e derrit'. Më vonë mësova se ditën e vrasjes tek banesa e Luanit, kishin shkuar Ilir Stërgu, Enver Boriçi dhe disa pjesëtarë të tjerë të bandës. Ata e kanë marrë Luanin me vete duke thënë se kishin për të "sqaruar" diçka me të. Më pas ai është gjetur i vdekur", thuhej në deklarimin e nënshkruar nga Flamur Bilbili. Sipas tij, një tjetër ngjarje kriminale kishte ndodhur pranë familjes së tij. "Para se të vritej Luani, te banesa e nënës tonë ka pasur një shpërthim eksplozivi. Ai shpërthim shkaktoi shumë dëme materiale", citoi dje përfaqësuesi i akuzës, duke iu referuar deklarimeve të Flamur Bilbilit.                            ar.ba

Takimi në qelitë e komisariatit me Baren

TIRANE - "Një person me trup mesatar" kishte pyetur me radhë dy bashkëshortët, Pranvera dhe Karafil Haxhiu, si edhe bashkëshorten e Shkëlqim Haxhiut se ku ishte ky i fundit. Sipas prokurorisë, "personi me trup mesatar" ka qenë i akuzuari si kreu i bandës së Lushnjës, Aldo Bare në bazën e tij në Lushnje të konsideruar për kohën si "Komisariati nr.2". "Ishim duke fjetur kur dëgjuam persona që thërrisnin 'hapeni derën se jemi policia'. Hapëm derën dhe dy persona të maskuar të paarmatosur u futën në shtëpi. Na nxorën në oborr ku ishte edhe Servetja, gruaja e Shkëlqim Haxhiut. Na futën në një furgon dhe nuk po e kuptonin se nga po shkonim. Pas 5 minutash furgoni ndaloi dhe pasi zbritëm ne na futën në një dhomë që kishte vetëm një derë dhe një dritare. Aty na priste një person me trup mesatar, karakteristika të tjera nuk mbaj mend. Ky person na pyeti me radhë. Mua më pyeti se cili ishte burri im. Me sa kuptova ai personi kërkonte të dinte ku ishte Shkëlqimi (Haxhiu), xhaxhai i burrit tim. Pas pak na liruan, ndërsa kur shkuam pranë shtëpisë panë që kati i dytë i shtëpisë së Shkëlqimit ishte në flakë", u lexua dje para gjykatës.                             ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›