Afrimi i 28 Qershorit, kërcënohet Alfred Dalipi
Periudha afër zgjedhjeve ka rritur ndjeshëm temperaturën politike në vend.
KORÇË- Afrimi i datës së zgjedhjeve ka rritur ndjeshëm temperaturën politike në vend. Tashmë incidentet në fushatë nuk po kursejnë më as vet protagonistët e këtyre zgjedhjeve, kandidatët për deputetë.
Pas një seri ngjarjesh të izoluara dhune mes militantëve të forcave politike, dje preh e dhunës elektorale ka rënë edhe deputeti socialistë Alfred Dalipi, i cili është përfshirë në një incident ku duket se ka mundur të shpëtojë paq. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Mollaj ku Dalipi kishte vendosur të zhvillonte disa takime me simpatizantë të tij.
Por menjëherë sapo është futur në fshat atij i është bllokuar rruga me makinë nga disa persona midis të cilëve siç bënë të ditur vet Dalipi ishte dhe shoferi i kryetarit demokrat të komunës.
Për të sqaruar situatën Dalipi është detyruar që të zbresë nga mjeti i tij, por është ballafaquar me sharje dhe kërcënime të personave që i kishin zënë rrugën. Ata i kanë kërkuar atij që të largohet nga fshati, ndërsa janë përpjekur që edhe ta dhunonin atë fizikisht duke tentuar disa herë që ta shtypnin me makinë. I gjendur në një situatë të tillë deputeti socialistë është detyruar që të hyjnë në komunikim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe drejtorin e policisë së qarkut Korçë.
Më pas në vendngjarje ka mbërritur vet kreu demokrat i komunës Alfred Xhemo, i cili i ka kërkuar Dalipit që përpara se të hynte në fshat duhet që të lajmëronte atë si për vizitën ashtu edhe për të gjitha takimet që kishte programuar, ndërkohë që vet Dalipi është deputeti aktual i zonës.
Ndërkohë që siç bëri të ditur vet Dalipi i pranishëm gjatë kohës që është zhvilluar ky episod ka qenë edhe punonjësi i policisë së zonës, pavarësisht se nuk ka guxuar të ndërhyjë për të zgjidhur situatën.
Ndërkaq, policia lokale në Korçë bën të ditur se për ngjarjen në fjalë ka marrë njoftimin nëpërmjet disa mediave, ndërsa ende nuk ka marrë ndonjë denoncim nga deputeti, megjithëse i është kërkuar këtij të fundit të bëjë denoncimin për ngjarjen në fjalë.