E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afrofetë, shtyhet afati deri në fund të vitit

 

Fabiola Çela

OSSH duhet të vendosë matësit për të gjithë familjet shqiptare brenda 31 dhjetorit 2009. Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar kërkesën e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes për të shtyrë afatin përfundimtar për vendosjen e matëseve. Ky është disati vit radhazi që ERE, vendos të shtyjë afatin përfundimtar të vendosjes së matëseve. Faturat afrofe janë kthyer në një gangrenë të vërtetë për OSSH-ë, pasi një pjesë e mirë e tyre nuk paguhet. Por me vendosjen e matëseve pritet të përfundojë një herë e mirë faturimi afrofe për konsumatorët. Por këtë vit vendosja e matësve është një proces që duhet të përfundojë me patjetër, pasi kjo është edhe një detyrim i vendosur nga kompania ceke fituese e tenderit për privatizimin e OSSH-së. 
Faturat
ERE ka përcaktuar vlerën e faturave afrofe që duhet të paguajnë konsumatorët që nuk janë të pajisur me matës. Fatura afrove do të jetë e ndryshime për periudha të ndryshme. Kështu konsumatorët do të paguajnë më pak gjatë verës dhe më shumë në dimër. Sipas vendimit të ERE-s, për stinën e verës banorët e qytetit të Tiranës do të paguajnë një sasi prej 400 kwh energji elektrike në muaj, ndërsa banorët e fshatit sasinë prej 290 kwh. E njëjta sasi energjie do të paguhet edhe nga qyteti i Durrësit dhe Kavajës, ndërkohë që fshatrat e Kavajës do të paguajnë 230 kwh energji në muaj. Ndërsa për qytetet e tjera më të vogla, vlera e faturimit afrofe është më e vogël, kështu në Has niveli i faturës afrofe në verë është vetëm 290 kwh, ndërsa në dimër 450 kwh. Por sasia e energjisë afrofe do të rritet gjatë sezonit të dimrit, meqë gjatë kësaj periudhe konsumi i energjisë është edhe më i lartë. Sipas vendimit të ERE-s, rritja më e madhe e saj është për qytetet e mëdha të vendit. Kështu banorët e qytetit të Tiranës do të paguajnë 600 kwh energji elektrike në muaj, gjatë sezonit të dimrit, ndërsa banorët e fshatrave të Tiranës do të paguajnë 400 kwh energji në muaj. Ndërsa për qytetin e Durrësit niveli i faturës afrofe në dimër do të jetë 500 kwh, ndërsa për fshatin 400 kwh. Banorët e qytetit të Kavajës, që nuk kanë matës gjatë dimrit, duhet të paguajnë 550 kwh energji ndërsa për konsumatorët e fshatit niveli i afrofesë do të jetë 400 kwh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›