Ministri Basha: PD mbajti premtimet
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha tha dje në qytetin e Elbasanit se Partia Demokratike mbajti premtimet për rritje pagash dhe pensionesh gjatë këtij mandati. Duke folur në ceremoninë e 18 vjetorit të krijimit të degës së PD-së në këtë qytet, ministri Basha u shpreh se "Sot, kujtojmë peshën e misionit të një force politike, mbi supet e të cilës shpesh rëndoi vetë fati i demokracisë shqiptare, vetë kuptimi i pluralizmit politik apo parlamentar, por dhe i premtimeve të mbajtura gjatë 4 viteve të fundit, ku spikasin rritja e pagave jo vetëm për buxhetorët, por edhe për pensionistët dhe të gjitha shtresat në nevojë, zgjatja e rrugëve të reja, stimulimi i të rinjve për të studiuar dhe hapësirat e reja drejt anëtarësimit në NATO dhe BE". Nga ana e tij kreu i PD-së së Elbasanit, Aurel Bylykbashi theksoi se "Forca jonë politike është forca e vetme në vend, që gjatë mandateve të saj qeverisëse, por gjatë të gjithë ekzistencës së saj, ka punuar dhe po punon, që Shqipëria të ndryshojë pamjen e saj, çdo moment dhe çdo minutë".