Kartat, shtyhet afati deri më 15 prill
Adi Shkëmbi
Qeveria pranon kërkesën e opozitës dhe nxjerrjen e vendimit për pajisjen e shpejtë me karta identiteti të atyre shtetasve që nuk kanë pasaporta me jashtë shtetit. Ministria e Brendshme ka shtyrë deri më 15 prill afatin e pajisjes me karta të shtetasve që nuk kanë pasaporta me jashtë shtetit. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja, në konferencën e djeshme për shtyp bëri të ditur ndryshimin e vendimit të qeverisë, duke theksuar se përparësi do të kenë edhe ato shtetas që përfitojnë të drejtën e votimit më datën 28 qershor. “Shtetasit, të cilët janë të detyruar të pajisen me letërnjoftim, sipas pikës 3 të këtij vendimi, që janë mbi moshën 18 vjeç në datën 28 qershor 2009 dhe nuk disponojnë pasaportë, duhet të pajisen me letërnjoftim deri më 15 prill 2009”, deklaroi Konja. Ndërsa ka bërë të qartë se nëse pas datës së re të sanksionuar, këto kategori do të kenë sanksione dhe nuk do t’u ofrohen disa shërbime kryesore. Në bazë të Kodit të Ri Zgjedhor, në votimet do të lejohen vetëm shtetasit që disponojnë karta identiteti dhe me pasaportë për jashtë shteti. Opozita ngriti pretendimin se janë 730 mijë shqiptarë që nuk disponojnë pasaportë me jashtë shtetit, duke i kërkuar qeverisë t’i japë përparësi në pajisjen me karta identiteti. Nga ky vendim pritet të përfitojnë edhe pensionistët.
Sanksionet
Në krahasim me vendimin e mëparshëm, nuk ka pasur ndonjë ndryshim sanksionesh, janë të njëjta në përgjithësi. Ndërsa bie në sy se nuk ekziston më pika që nëse shtetasit nuk aplikonin për kartë identiteti brenda 1 shkurtit, nuk do të lejoheshin të dilnin jashtë shtetit. Për të gjitha kategoritë, qeveria ka vendosur një masë ndëshkimore nëse aplikojnë deri më datën 10 shkurt. Kështu në bazë të vendimit “në rast se nuk aplikojnë brenda kësaj date, nuk do të ofrohet shërbimi për pajisjen me pasaporta dhe në Alba Posta”. “Pagesën ose shpërblimet për të gjithë personat fizikë, të punësuar në administratën dhe institucionet publike, si dhe për personat e punësuar në shoqëri, agjenci a ente shtetërore, qendrore apo vendore; Pagesën apo shpërblimet për pensionistët; Pagesën për ndihmë, përkrahje sociale apo çdo lloj ndihme tjetër, ofruar nga institucionet publike, qendrore dhe vendore”, janë sanksionet e vendosura sërish nga ana e Ministrisë së Brendshme.
Gjithashtu ndër sanksionet e tjera janë përfshirë edhe ndalimi i akteve noteriale dhe marrjes së certifikatave të pronësisë pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Gjithashtu nuk do të lejohen që studentët të japin provimet e sezonit nëse nuk aplikojnë për kartën e identitetit. Deri më tani në Tiranë kanë aplikuar gjithsej mbi 30 mijë shtetas, të cilët pasi kanë blerë kuponin në filialet e Postës kanë plotësuar formularin pranë njësive bashkiake.
dy vendimet
Vendimi i mëparshëm
Do bllokoheshin këto shërbime brenda 1 shkurtit 2009:
-pajisja me pasaportë për jashtë shtetit;
-shërbimin në zyrat e gjendjes civile;
-lëshim ose rinovim të lejeve, autorizimeve, licencave nga organet e pushtetit qendror/vendor;
-nuk do të lejohen të dalin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë;
-aplikimi dhe pajisja me certifikatë pronësie nga ana e zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme;
-aplikimin dhe lëshimin e dokumentit “Leje drejtimi automjeti” dhe kolaudimin e tyre;
-lëshimi i vërtetimeve dhe dokumenteve të tjera të ngjashme me to, nga administrata gjyqësore;
-shërbimet noteriale;
-shpërndarja e karburantit pa akcizë për fermerët;
-shërbimi nga zyrat e Alba-Postës;
Vendimi i ri
a) Pagesën ose shpërblimet për të gjithë personat fizikë, të punësuar në administratën dhe institucionet publike, si dhe për personat e punësuar në shoqëri, agjenci a ente shtetërore, qendrore apo vendore;
b) Pagesën apo shpërblimet për pensionistët;
c) Pagesën për ndihmë, përkrahje sociale apo çdo lloj ndihme tjetër, ofruar nga institucionet publike, qendrore dhe vendore;
ç) Pranimin në provimet e fundvitit dhe regjistrimin në vitin shkollor/akademik pasardhës për të gjithë ata që ndjekin studimet në shkollat e mesme dhe të larta, për pjesëmarrësit në konkurse apo gara të ndryshme, të organizuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës;
d) Pajisjen me pasaportë për jashtë shtetit;
dh) Shërbimin në zyrat e gjendjes civile, me përjashtim të regjistrimit të akteve ty lindjes dhe të vdekjes, si dhe pajisjes me certifikatë me fotografi për qëllim aplikimin për letërnjoftim sipas këtij vendimi;
e) Lëshimin ose rinovimin e lejeve, autorizimeve, licencave nga organet e pushtetit qendror/vendor ndaj personave fizikë dhe përfaqësuesve ligjorë të personave juridikë;
ë) Aplikimin dhe pajisjen me certifikatë pronësie nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme;
f) Aplikimin dhe lëshimin e dokumentit/Leje drejtimi automjeti dhe kolaudimin e tyre;
g) Lëshimin e vërtetimeve dhe të dokumenteve të tjera, të ngjashme me to, nga administrata gjyqësore;
gj) Shërbimet noteriale;
h) Shpërndarjen e karburantit pa akcizë për fermerët;
i) Shërbimin nga zyrat e Alba-Postës.
Gjiknuri: Qeveria të sensibilizojë qytetarët për pajisjen me karta
Partia Socialiste i bëri thirrje dje qeverisë të nisë sensibilizimin e qytetarëve, që nuk kanë pasaportë për t’u pajisur me karta identiteti. Juristi i njohur i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri, shprehu dje shqetësimin se procesi i pajisjes me karta identiteti deri më tani ka filluar vetëm në qytetin e Tiranës. “Nisur nga shqetësimi ynë i bërë publik, për mënyrën kaotike të këtij procesi dhe pas ushtrimit të presionit pozitiv ndaj qeverisë për të adresuar njëherë shtetasit, që nuk disponojnë pasaportë, u bë e mundur që qeveria të miratojë një vendim për këtë kategori”, tha Gjiknuri. Në emër të PS-së Gjiknuri i bëri thirrje qytetarëve të nisin aplikimet. “U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë, që nuk disponojnë pasaportë të fillojnë aplikimin për karta identiteti, pasi janë vetëm ata që kanë të drejtë të pajisen me një dokument të tillë në këtë periudhë. Gjithashtu, kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve të tjerë, që ta shtyjnë këtë proces në një kohë të dytë, në mënyrë që t’u mundësojnë këtyre shtetasve të ushtrojnë të drejtën e zgjedhjes, me kartë identiteti”, tha juristi i njohur. Ai i ka bërë thirrje gjithashtu “çdo qytetari që kërkon të mundë varfërinë, të heqë qafe korrupsionin, të luftojë papunësinë, apo që kërkon të votojë kundër Sali Berishës duke shpresuar për një jetë më të mirë, të votojë Partinë Socialiste, dhe për këtë i duhet një kartë identiteti ose pasaportë”.